GREQI-Është arrestuar autori i vrasjes së Artur Bashimit, 47-vjeçarit shqiptar i cili u ekzekutua me plumb në kokë mbrëmjen e 18 gushtit në Athinë. Protothema shkruan se sipas hetimeve paraprake, autori i krimit ishte një 27-vjeçar grek, përdorues droge, i cili, mori përsipër të ekzekutonte 47-vjeçarin për 15,000 euro.
I riu u shpreh se nuk e njeh personin që "urdhëroi" ekzekutimin dhe as arsyet pse donte ta ekzekutonte. Megjithatë shtoi se urdhëri për vrasjen u dha nga brenda burgjeve. Mediat fqinje shkruajnë se vrasja ishte një mesazh për vëllain e viktimës, i cili jeton në Larisa dhe është i përfshirë në rrjetet kriminale.
27-vjeçari natën e krimit ka qenë me një motor, i veshur me të zeza dhe mbante në kokë helmetë. Ai la mjetin, iu afrua në këmbë 47-vjeçarit shqiptar dhe e qëlloi me një plumb në kokë. Autori e tërhoqi këmbëzën për herë të dytë, por arma u bllokua dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes pa lënë asnjë gjurmë.
47-vjeçari Artur Bashimi, u vra mbrëmjen e 18 gushtit në Athinë me një plumb në kokë. Artur Bashimi rezulton i arrestuar në shkurt 2022 si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në mjetet e transportit publik. Ai është arrestuar sërish më pas në prill 2024, po si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje në Greqi. Hetimet greke po verifikojnë nëse ekzekutimi i Artur Bashimit ka lidhje me aktivitetin kriminal të vëllezërve Bashimi dhe konfliktet e tyre me grupe të tjera./ZËRI


