TIRANË-Ekzekutimi me plumb në kokë i 47-vjeçarit Artur Bashimi i ndodhur në vendin fqinj, Greqi do të rikthente edhe njëherë vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku në 7 prill të vitit 2017 në hyrjen e pallatit në Tiranë. Lidhjet familjare dhe ato miqësore, kanë vendosur hetuesit para verifikimeve nëse ekzekutimi i Artur Bashimit ka lidhje me aktivitetin kriminal në Shqipëri.
Viktima është vëllai i Marsel Bashimit, i njohur ndryshe me mbiemrat Shkurtaj dhe Gozhita dhe mik i Bledar Jambelli, të dy të akuzuar në Shqipëri për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku.
Por si u vra kryekomisari dhe roli i secilit në krim?
Atentati ndaj Artan Cukut u krye në datën 7 prill të vitit 2017 në hyrjen e pallatit ku banonte viktima, tek rruga e ‘Kosovarëve’ tek Liqeni Artificila në Tiranë. Për vrasjen e kryekomisarit ra në pranga Mikel Shallari, i cili rrëfeu të plotë të gjithë organizimin e vrasjes dhe se porositësi ishte Bledar Jambelli. Jambelli vëzhgonte gjithçka në terren dhe se me Shallarin komunikonte vetë nëpërmjet Kristaq Lecit, kushëriri i Mikel Shallarit. Mësohet se është pikërisht Kristaq Leci ai që i ka dhënë pagesën prej 20 mijë eurosh Mikel Shallarit, i cili mori përsipër të kryente ekzekutimin.
Kristaq Leci dhe Bledar Jambelli 48 orë pas ngjarjes u larguan në Greqi pa kaluar nëpërmjet sistemit TIMS. Motivi që mendohet të ketë shtyrë Jambellin të urdhëronte vrasjen e Cukut është rihapja e një dosjeje në vitin 2012, kohë kur kryekomisari ishte Drejtor i Policisë Vlorë. Kryekomisari e rihapi këtë dosje të mbyllur nga prokuroria dhe gjeti prova të reja për vrasjen e Shpëtim Mukës dhe Ervis Shehut në vitin 1997, e njohur si masakra e “Pusit të Mezinit”.
Provat e reja sollën edhe arrestimin e Bledar Jambellit. Gjithsesi 38-vjeçari u la i lirë nga gjykatat shqiptare për mungesë provash në vitin 2013 madje mori edhe mbi 500 mijë lekë dëmshpërblim nga shtetit për ditët e burgut.
Pas vrasjes, i akuzuar kryesor u largua për në Greqi. Bledar Jambelli është arrestuar në shtetin fqinjë dhe aktualisht ndodhet në burg në Greqi për një ngjarje të vitit 2022, ku mbetën të plagosur pesë persona, ndërsa vendndodhja e Kristaq Lecit nuk dihet.
Pasditen e 22 janarit 2022, Bledar Jambelli, Marsel Bashimi, Kristaq Leci, dhe dy persona të panjohur, i janë bashkuar një grupi, me qëllim që të takoheshin me dy shqiptarë në furrën në Vuola, ndoshta për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre financiare. Dy shqiptarët (viktima) shoqëroheshin nga tre të huaj dhe tre grekë, të cilët i ndiqnin duke lëvizur me tre automjete. Të gjithë shqiptarët janë ulur në kafenenë e Vuolës, në një tavolinë jashtë, ku kanë biseduar për arsyen e takimit. Në diskutim e sipër Marsel Bashimi ka goditur me grusht kundërshtarin e tij shqiptar dhe gjithçka ka agravuar në përdorimin e thikave dhe armëve duke regjistruar 5 të plagosur./ZËRI