
VLORË- Mbrëmjen e sotme rreth orës 21:30 një atentat me armë zjarri ndodhi në lagjen “24 Maji” në Vlorë. Si pasojë e këtij atentati u plagosën dy persona Kevin Hajrulla, 30 vjeç, dhe Armand Spahiu, 35 vjeç, ky i fundit ishte shitës në një dyqan fruta perimesh. Dyshohet se shënjestra ishte Kevin Hajrulla, i cili rezulton se është dhe djali i xhaxhait të Inez Hajrullës, një emër shumë i njohur për mediat, pasi ndaj këtij të fundi janë bërë dhe atentate më parë. Në afërsi të fshatit Panaja në Vlorë është gjetur e djegur që dyshohet se është e autorëve. Brenda saj janë gjetur dy armë automatike dhe dy krehër fishekë. Ndërkohë automjeti i djegur rezulton tip KIA. Autorët qëlluan me 20 plumba drejt makinës së Hajrullës, i cili është në gjendje të rëndë për jetën në spital, ndërsa Spahiu është plagosur në këmbë.
Dyshohet se atentati ndaj Kevin ka lidhje me kushëririn e tij Inez, i cili është mjaft i njohur për drejtësinë. Inez Hajrulla ka qenë objektiv i dy atentateve në qytetin e Vlorës. Njëri ndodhi në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët, ndërsa tjetri ndodhi me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.
*Kujdes pamjet e mëposhtme janë të rënda:
Atentati në vitin 2017
Në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët. Atentati ndodhi në një prej lokaleve, që në Vlorë njihet si vendi që frekuentohej nga Edison Harizaj, një prej të fortëve të Vlorës, i vrarë në Durrës. Hajrulla dyshohet se është pjesë e grupit të Harizajt.
Inez Hajrrulla është dënuar dy herë. Në shkurt 2018, Hajrulla ka marrë një dënim me 2 vite heqje lirie për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Dënimi kishte lidhje pikërisht me armën që iu gjet gjatë atentatit me eksploziv, të ndodhur në nëntor të 2017, por ky dënim u pezullua duke e lënë të riun në shërbim prove. Gjithashtu, në fund të vitit u dënua me 8 muaj për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Si ndodhi sulmi me armë në 2019 ndaj Inez Hajrulla
Sipas prokurorisë së Vlorës Inez Hajrulla në datën 10 maj 2019 ka qenë nën shoqërinë e Ervis Matodashaj, në ambientet e një lokali në Vlorë. Pikërisht në këtë vend disa persona kanë qëlluar me armë me qëllim për të vrarë Inez Hajrulla. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në shesh janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur. Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë atentat të dështuar morën pjesë nëntë persona, Fatmir Hyseni, Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.
Për atentatin e dytë, Hajrulla tregoi në Gjykatë se sapo kishte parë që një person zbriti nga një automjet që në pamje të parë ju duk si “Land Rover” kishte nxjerrë një armë lodër nga çanta e ka nisur të qëllojë drejt tij. Për këtë arsye, personi në fjalë është trembur e është kthyer mbrapsht.
Inez Hajrulla është person i marrë në hetim për zhdukjen e Elvis Troqes në Vlorë, në korrik 2017. Përfshirja e tij në këtë çështje erdhi pasi një nga dëshmitarët, që është personi i fundit që ka takuar 25-vjeçarin Troqe, ka deklaruar për hetuesit se Elvisi ishte larguar nga lokali ku po qëndronin, duke i thënë se do të takonte një shok me emrin Ini, që dyshohet se i referohet pikërisht Inez Hajrullës, pasi në Vlorë njihet si “Ini i Çones”. Përveç zhdukjes së 25-vjeçarit, Hajrulla dyshohet se është përshirë dhe në ngjarje të tjera kriminale, të cilat janë ende të pazbardhura. /ZËRI