TIRANË- 21 Janar 2011, 4 protestues mbetën të vrarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në një protestë të socialistëve në opozitë, që kërkonin rrëzimin e qeverisë Berisha pas videoskandalit Meta- Prifti. Sot pothuajse 15 vite më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar, por personazhet e asaj ngjarje tragjike mbeten në skenën politike, edhe pse një pjesë e tyre kanë ndryshuar rolet. Pas zvarritjes në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, për familjarët e viktimave u shfaq një rreze shprese, me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, që i kërkoi shtetit shqiptar hetimin e plotë të ngjarjes.
Tashmë çështja është rihapur nga Prokuroria e Posaçme, e përpara prokurorit Alfred Shehu, janë rrëfyer një sërë politikanësh e shtetarësh me pozitë të kohës, që nga ish-kryeministri Sali Berisha, te ish-presidenti Bamir Topi, dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Ndërkohë që ‘shkaktari’ që çoi në protestën e dhunshme, ish-presidenti Ilir Meta, ka dëshmuar në SPAK me kërkesën e tij, për protestën e 21 Janarit, për skenarin e dhunshëm të së cilës, sipas tij kanë qenë në dijeni dhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë.
Hetimet fillestare për 21 Janarin, nisën ditën e protestës, nga Prokuroria e Tiranës, e cila dërgoi për gjykim ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin, dhe gardistin Agim Llupo, të cilët u dënuan me 1 dhe 3 vite burg. Familjarët e Aleks Nikës, i vetmi që ngeli pa autor të identifikuar, kërkuan që çështja të kalonte në SPAK.
Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, duke u bazuar edhe në frymën e Gjykatë së Strasburgut, vendosi që ngjarja të hetohet si krim shtetëror, për të sqaruar rolin e drejtuesve të lartë të kohës, përfshirë Berishën, Bashën dhe ish-drejtuesin e Gardës.
SPAK nisi zyrtarisht hetimet më 16 korrik 2024, me tre akuza: vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim, shpërdorim detyre dhe pengim i zbulimit të së vërtetës.
-Më 23 korrik 2024, Ndrea Prendi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për t’u pyetur në lidhje me armët e zjarrit të përdorura përballë protestuesve.
-Më 30 tetor 2025, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha u mor në pyetje për 1 orë e 20 minuta nga prokurori Alfred Shehu. Pas daljes, Basha ishte i rezervuar përballë gazetarëve.
-Ndërsa, më 19 nëntor 2025 u paraqit Sali Berisha, i cili më herët kishte refuzuar dy herë ftesën e SPAK për të dëshmuar për 21 janarin. Vetë Berisha ka deklaruar se PS ka pasur një axhendë dhune në protestë, dhe ai nuk ka dhënë asnjë urdhër mbi gardën që të qëllonte në drejtim të protestuesve që ndodheshin në Bulevard. Berisha ka akuzuar sërish SPAK, që sipas tij nuk guxon që të marrë në pyetje kryeministrin Edi Rama, në lidhje me dhunën e shkaktuar në protestë, dhe udhëzimet që janë dhënë ndaj organizatorëve të saj.
Nga ana tjerër Berisha ka zbuluar për herë të parë dhe një bisedë me ish-deputetin e ndjerë Dritan Prifti, pak ditë para 21 janarit. Biseda mes tyre sipas Berishës, ka ndodhur në një kohë kur ende nuk kishte dalë video e përgjimit mes tij dhe Ilir Metës në zyrën e ministrit të Energjetikës. Sipas Berishës, Prifti i kishte kërkuar ta emëronte në një detyrë më të rëndësishme, përndryshe do të publikonte regjistrimin. Berisha tha se nuk e kishte pranuar shantazhin e Priftit, dhe në këtë mënyrë videoja në fjalë, ku flitej për 7% në tenderat, u bë publike.
Edhe Bamir Topi, president i kohës ka folur shpesh për 21 Janarin, që është dhe çështja që ka sjellë krisjen e raportit të tij me Sali Berishën. Topi u paraqir në SPAK në datën 9 Dhjetor, por u tregua i rezervuar për të folur për mediat, për shkak se çështja është ende nën hetim, dhe përbën një sekret hetimor.
Më i zëshmi në mesin e personave të pyetur duket të jetë Ilir Meta. Ish-presidenti, që ndodhet pas hekurave prej më shumë se një viti, ka dëshmuar se amerikanët dhe shërbimet inteligjente ishin në dijeni të skenarit të dhunshëm të organizuar nga Edi Rama, për të patur viktima që t'i jepej një kauzë. Lidhur me provat që ai disponon apo ka dijeni, ish-presidenti orientoi organin hetues të kryejë kontrolle dhe të sekuestrojë materialet që ndodhen pranë institucioneve përkatëse dhe që konsiderohen të klasifikuara, duke dhënë edhe emra konkretë.
Por pavarësisht dëshmive, dhe marrjes në pyetje të funksionarëve të lartë si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, SPAK ende është duke hetuar mbi ngjarjen, dhe mbyllja e hetimeve duket ende larg. 21 Janari mbetet padyshim një nga ngjarjet më të rënda në historinë e posttrazicionit shqiptar, ndërsa familjarëve të Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës iu ka mbetur të shpresojnë te drejtësia e re, në mënyrë që të afërmit e tyre të mos mbeten vetëm një pllakë në Bulevard. /ZËRI