TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet për ngjarjen e 21 janarit, ku në ambjentet e SPAK u paraqitën sot dy vëllezërit e Hekuran Dedës, një prej protestuesve që u vra nga plumbat e shtetit. Zabit dhe Agim Deda u morën në pyetje nga prokurorët e posaçëm në lidhje me ngjarje tragjike.
Për 1 orë e 30 minuta, SPAK mori në pyetje sot, 28 janar, vetëm Zabit Deda. Ndërkohë, burimet thonë se me Agim Dedën marrja në pyetje do të vijojë ditën e nesërme, 29 janar. Pas daljes nga ambientet e SPAK, Zabit Deda tha se ka besim se kjo ngjarje do zbardhet.
"Ato që na kërkuan i thamë. Shpresojmë se do zbardhet", tha ai për gazetarët.
Familjarët e 4 dëshmorëve, Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj kërkojnë të dënohen urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj vrasje shtetërore.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale./ZËRI