TIRANË- Ish-presidenti Bamir Topi u thirr këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme, ku dëshmoi për 21 Janarin.
Topi qëndroi në Prokurorinë e Posaçme për rreth 90 minuta, ku në dalje të saj pati dhe një komunikim të shkurtër për 21 Janarin.
“Unë kam folur për 21 Janarin vazhdimisht, në respekt të transparencës me publikun, duke qenë se është proces hetimi unë nuk mund të flas shumë. Kërkova mirëpkuptimin tuaj. Dihet funksioni i prokurorisë së posaçme, hetimi për të dalë te e vërteta, gjithçka është në fazë hetimi, unë kam folur pafund, por sot duhet të respektoj këtë institucion”, u shpreh Topi.
Ish-presidenti Bamir Topi, pak ditë më parë kujtoi ngjarjet e 21 Janarit dhe momentin e përplasjes së tij me Sali Berishën. Topi deklaroi se Lulzim Basha i ka kërkuar takim dhe i ka vajtur në shtëpi, ku është diskutuar shqetësimi i marrjes në pyetje nga Prokuroria të zinxhirit komandues të Gardës. Topi tha se i deklaroi Bashës se ai do të mbështesë hetimin dhe fill pas kësaj, po atë mbrëmje, Berisha e shënjestroi duke e etiketuar "horr bulevardi".
Hetimet për 21 Janarin janë marrë tashmë në dorë nga Prokuroria e Posaçme, ku janë thirrur për të dëshmuar dhe Lulzim Basha dhe Sali Berisha. SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili po heton çështjen e 21 janarit. /ZËRI

