
SARANDË- Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 24 qershorit 2024, ku biznesmeni Armand Nelaj ndërroi jetë pas një shpërthimi që tronditi Portin e Sarandës, do të zbulonte një rivalitet të ashpër mes ish-partnerëve të biznesit në industrinë detare. Andrea Qirjako, pronari i një anije turistike në Sarandë ka treguar se ka një konkurrencë të ashpër për këtë biznes. Për emisionin “Në Shënjestër” ai është shprehur se janë paguar 30 mijë euro për t’i djegur atij anijen, por më pas nuk ka ndodhur sepse i njihnin.
Qirjako ka treguar edhe një moment, kur tre persona e kanë dhunuar pranë banesës së tij. Ai dyshon se kjo ngjarja ka të bëjë me konkurrencën në biznesin e trageteve.
“Atë mbrëmje kam qenë në Portin e Sarandës, po shikonim ndeshjen Spanjë-Shqipëri. Duke mbaruar pjesa e parë, dëgjoj një shpërthim të fortë te porti dhe pasi dola nga lokali për të parë se çfarë kishte ndodhur, shikoj dy të huaj që kërkonin ndihmë. Unë kam qenë i pari që kam shkuar bashkë me një polic që u afruam të shikonim kush ishte, por nuk dallohej mirë pasi personi kishte një goditje të fortë në fytyrë…”, tha Andrea Qirjako
Biznesmeni rrëfeu më tej se ai mësoi mbi identitetin e personit të plagosur që më pas kishte humbur jetën në spital, vetëm të nesërmen dhe menjëherë pasi mësoi se viktima ishte Armandi Nelaj, ai krijoi dyshimin se ngjarja nuk ishte një aksident në det, por lidhej me sulmet e vazhdueshme që po i bëheshin biznesit të tij të trageteve.
Kjo, pasi sipas tij Armandi Nelaj ishte mik me Erdion Muhon, dhe ai kishte informacione se të dy po thurnin plane për ta dëmtuar dhe duke sjellë në kujtesë lidhjen e këtij të fundit me Nelajn dhe lëvizjet e çuditshme që kishte parë në port ditët e fundit, ku këta dy personazhe ishin gjithmonë bashkë në shoqërinë edhe të ish-ortakut të tij grek Petro Papikinos, ai tha se vetëm atëherë mundi të bëjë lidhjen e këtyre personave me shpërthimin në det si edhe krijoi bindjen se objektivi i atentatit të dështuar me eskploziv mund të kishte qenë një nga tragetet e tij të ankoruar në një nga kalatat e portit të Sarandës, atë mbrëmje, bindje e cila e çoi të nesërmen e shpërthimit në dyert e komisariatit të policisë në qytet.
“Me Armandi Nelaj nuk është se kam ndonjë lidhje. E njoh, por si biznesmen të qytetit. Nuk kemi pasur konflikte, nuk më ka lidhur puna me këtë person. Biznesin Erdion Muho, e ka nisur me një hotel. Më pas mori një anije me një ortak grek. Dhe më pas u lidh me Petro Papikinos. Një nga sulmet ka qenë edhe ai fizik ndaj meje. Gjatë natës kur po kthehesha në banesë në orën 12.00, tre persona në hyrje të pallatit më kanë goditur me sende të forta. Dyshimet janë edhe në këtë rast te konkurenca. Në momentin që ne kishim anijen tonë në remont në kantier në Pire, një muaj para se të ndodhte incidenti në Sarandë, te ne kanë ardhur disa miq tanë, të cilët na thanë se në anije do të vendosej flaka. 15 ditë më pas ka ndodhur goditja, shpëthimi me tritol.Sulmi ndaj anijes, ishte te ‘Finikas Speed’, që ishte një anije e re. Mua më kanë marrë në telefon në orën 9.00 të darkës, më thanë që duan t’i vendosin flakën anijes. Kam marrë vëllain në telefon, që të mbronim anijen. Ishte dhënë një shumë prej 30 mijë eurosh. Duke qenë se na njihnin, u tërhoqën”, tha Andrea Qirjako.
Të njëjtën dëshmi mbi sulmet që po u vinin bizneseve të tyre, dha edhe një nga vëllezërit e tjerë bashkëpronarë të kompanisë së lundrimit ‘Finikas’ Shpk. Madje ai thotë se atij i kishin ardhur informacione se Armandi Nelaj, po përpiqej të siguronte kundrejt pagesës njerëz të cilët do të vendosnin lëndën shpërthyese në tragetet në pronësi të tyre, kudo që ato të ndodheshin.
Bashkëshortja e palombarit të vrarë mohoi dëshminë e Erdion Muhos
Erdion Muho nuk e mohoi që e kishte takuar Armand Nelaj, ditën para mbrëmjes ku ky i fundit ndërmori udhëtimin fatal për të, por përjashtoi çdo mundësi që të kishte dijeni lidhur mbi planin e Armandit për të hedhur në erë një nga anijet e lundrimit në port. Erdion Muho, pohoi po ashtu se ishte takuar me Armandin disa ditë më parë, dhe së bashku kishin blerë materiale peshkimi, ashtu siç në fakt dokumentuan edhe kamerat e sigurisë në një prej këtyre bizneseve.
“Me Armandin u takuam një javë më parë te porti, pasi ai erdhi te anija e tipit ‘delfin’ dhe unë i kërkova që të hiqte naftën. Këtë gjë ma kërkoi Theodhosi Papikinos me të cilin bashkëpunoj. Naftën e hoqi ekuipazhi i anijes. Më datë 23 Qershor unë nuk e mbaj mend se ku kam qenë, pasi kam lëvizur pothuaj gjithë ditën. Ajo që mbaj mend është se 2-3 ditë para ngjarjes blemë fillo dhe këmbëza që notojnë si dhe peshk falso. Kjo pasi Armandi detin e kishte pasion”, tha Erdion Muho.
Dëshmia se Armandi ishte një zhytës i pasionuar pas peshkimit, u hodh poshtë nga bashkëshortja e viktimës. E cila madje tregoi se nuk kishte asnjë dijeni për planin e tij se atë mbrëmje do të zhytej në det. Ndaj për këtë arsye u ndje shumë e befasuar kur mësoi mbi mënyrën se si Armandi kishte humbur jetën.
“Zhytja nuk ishte pasion i Armandit. Rastet kur ai zhytej në det ishin shumë të rralla. Më datë 24 Qershor, rreth orës 20.00, unë kam folur në telefon me Armandin dhe e kam pyetur se kur do të kthehej në banesë, dhe ai më tha pasi të mbarojë ndeshja. Pra ai nuk më tha se do shkonte për peshkim. Po kështu ai nuk merrej me lëndët shpërthyese pasi nuk kishte njohuri për to. Dhe telefonat e tij janë gjendur në makinën që kishte lënë në plazh”, tha bashkëshortja e Nelajt.
Fillimisht u dyshua se shpërthimi kishte ndodhur nga bombula e oksigjenit, e më pas u hetua edhe pista e vrasjes së Nelajt, i cili ishte biznesmen i njohur në Sarandë. Por në fakt u zbulua se vdekja e Nelajt ka ndodhur për shkak të një lënde plasëse që ai kishte planfikuar të vendoste në tragetin e linjës Sarandë-Korfuz, "Finikas Lines". Shkak ishte konkurrenca për linjën e Korfuzit.