
ITALI- Është dërguar në burg një nga drejtuesit e dyshuar të klanit shqiptar të çmontuar në kuadër të operacionit 'Icaro'. 48-vjeçari ishte identifikuar, ndaluar dhe arrestuar në Madrid më 21 janar, falë një urdhër-arresti europian, me bashkëpunimin e policisë shqiptare dhe asaj spanjolle. Por më tej rezultoi se ai kërkohej edhe në Breshia, duke bërë komunikimin e arrestimit për këtë qëllim. I arrestuari është 48-vjeçari P.G.
Hetimi ka çuar në zbulimin e 40 personave të implikuar në rrjetin e narkotrafikut nga Amerika e Jugut në portet europiane dhe dhënien e 20 masave paraprake. Grupi kishte lidhje me Kolumbinë, Ekuadorin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa financonte trafikun e sasive të mëdha të drogës për kartelin. Operacion u bë edhe në Shqipëri, me 5 të arrestuar. Gjykata e Elbasanit la në ‘arrest me burg’ me qëllim ekstradimin drejt Italisë Igli Dervishi, 30 vjeç, Shkëlqim Pashja, 44 vjeç e Ervin Dema, 40 vjeç.
Veprimtaria kryhej në zonat veriore të Italisë kryesisht, trafiku bëhej me makina, droga sillej nga Amerika e Jugut dhe marrëveshjet e biznesit mes Dubait dhe aksit Kolumbi-Ekuador. Fitimet e drogës silleshin me autobusën e linjës Breshia-Elbasan nga organizata. Në krye të kësaj organizate kriminale janë dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, Gerardo Pashja alias Astrit Pashja dhe Shkëlqim Pashja. Ata i jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë.
Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u regjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali dhe ato u kryen nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Breshias dhe SPAK-ut./ZËRI