KOSOVË-Prokuroria e Specializuar ka kërkuar gjashtë vite burg për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ish-presidenti Thaçi, mund të përballet me dënim e dytë në procesin për pengim të drejtësisë, krahas dënimit prej 25 vjetësh që iu njoftua nga Gjykata Speciale në Hagë më 16 shtator në rastin kryesor për krime lufte.
Pranimi i kësaj kërkese do ta çonte në 31 vjet shumën e dy dënimeve të mundshme për Thaçin. Megjithatë, bëhet fjalë vetëm për një skenar të mundshëm, pasi vendimi varet nga gjykata dhe nga hapat eventualë të ankimit.
Procesi për pengim të drejtësisë përfundoi më 14 shtator, ndërsa gjykata ende nuk ka bërë të ditur datën e shpalljes së aktgjykimit. Në parashtresën përfundimtare për çështjen e njohur si rasti 12, Prokuroria ka kërkuar që periudha e paraburgimit të mos zbritet dy herë nga dënimet e mundshme.
Sipas argumentimit të saj, Thaçi ndodhet në paraburgim mbi bazën e dy fletarrestimeve të ndryshme. I pari lidhet me procesin kryesor dhe daton nga nëntori i vitit 2020, ndërsa i dyti është lëshuar në nëntor të vitit 2024 për rastin e pengimit të drejtësisë.
Duke iu referuar praktikës së gjykatave ndërkombëtare, Prokuroria pretendon se e njëjta periudhë e kaluar në paraburgim mund të merret parasysh vetëm një herë. Për këtë arsye, ajo kërkon që koha e paraburgimit të llogaritet vetëm në kuadër të dënimit për procesin kryesor dhe të mos zbritet edhe nga dënimi eventual në çështjen e dytë.
Gjatë fjalës përfundimtare të mbajtur më 10 shtator, avokatja Sophie Menegon kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë. Ajo deklaroi se vendimi duhet të bazohet në prova konkrete dhe jo në supozime. Sipas mbrojtjes, Prokuroria po kërkon dënimin e Thaçit për biseda të zhvilluara në qendrën e paraburgimit, pa dëshmuar se ato kanë sjellë pasoja konkrete jashtë këtij institucioni.
Më 16 shtator katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI