TIRANË-Sot 'Flotilja Globale Sumud' do të niset nga porti i Brindisit për në ishullin e Sazanit, në Shqipëri, për t'u bashkuar me mobilizimin kundër projektit për të transformuar ishullin dhe bregdetin e afërt të Zvërnecit në një destinacion turistik luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Mbërritja e anijes ka një vlerë historike, ku 35 vite më parë po në muajin gusht të vitit 1991 anija “Vlora”, e cila u nis nga Durrësi me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, u shfaq në portin e Barit. Edhe sot e kësaj dite, konsiderohet mrekulli se si anija arriti deri në brigjet italiane me atë mbipopullim.
Qëllimi është të mbështetet "Revolucioni i Flamingove" në Shqipëri, protestat disajavore që sfidojnë projektet turistike në zonat e mbrojtura në bregdetin jugor. Protestat, të cilat shpërthyen në fund të majit dhe më pas u përhapën në Tiranë dhe qytete të tjera, nxorën mijëra njerëz në rrugë dhe e transformuan 'flamingon' në një simbol të mbrojtjes së mjedisit dhe kundërshtimit të projektit, i cili kërkon vendpushime luksoze në një zonë me vlerë të madhe natyrore.
Për Flotiljen Globale Sumud, nisma shqiptare përfaqëson një zgjerim të mobilizimeve të saj përtej Palestinës: një rrjet solidariteti midis betejave mjedisore, të drejtave të migrantëve dhe kundërshtimit ndaj projekteve të mëdha të pasurive të paluajtshme.
Sot drejt Shqipërisë pritet të nisen rreth tre anije, me rreth 30 aktivistë, ndërsa në të njëjtën kohë, përmes linjës së tragetit që lidh Puglian me Shqipërinë, do të udhëtojnë edhe dhjetëra shqiptarë. Sipas koordinatorit kombëtar të Global Sumud Flotilla, Tony La Piccirella, misioni nuk lidhet vetëm me protestën në Shqipëri. Ai deklaron se nisma synon të vendosë në qendër të vëmendjes rolin e komuniteteve në vendimmarrjen për projekte me vlerë miliarda euro dhe ndikim të drejtpërdrejtë mbi territorin, natyrën dhe mjedisin.
Organizatorët e kanë vendosur misionin në kontekstin e debatit që po zhvillohet në Puglia, veçanërisht rreth projekteve të mëdha turistike në bregdetin e Ostunit. Një nga shembujt është projekti i resortit Four Seasons në Costa Merlata, Ostuni, i cili ka shkaktuar protesta dhe kundërshtime nga aktivistë që argumentojnë se zhvillimi mund të ketë ndikim mbi territorin, ekosistemin bregdetar dhe përdorimin publik të zonës.
Pikërisht këtu organizatorët shohin një vijë lidhëse mes dy brigjeve të Adriatikut: Ostuni nga njëra anë dhe Sazani–Zvërneci nga ana tjetër. Puglia dhe Shqipëria janë dy brigje të të njëjtit Adriatik. Përmes këtij misioni, Global Sumud Flotilla kërkon të krijojë një lidhje simbolike mes betejave që zhvillohen në të dyja anët e detit.
Çfarë është 'Flotilja Globale Sumud'
Flotilja Globale Sumud është një lëvizje ndërkombëtare e shoqërisë civile dhe një koalicion detar humanitar, i formuar fillimisht për të thyer bllokadën detare të Rripit të Gazës dhe për të dërguar ndihma humanitare për popullin palestinez. Koalicioni përbëhet nga aktivistë, mjekë, avokatë, studentë dhe vullnetarë nga mbi 44 vende të botës. Përtej Lindjes e Mesme, dega italiane e Flotiljes Sumud ka zgjeruar rrjetin e saj të solidaritetit duke u lidhur me kauza mjedisore dhe të drejtat e tokës.