TIRANË- 5 persona janë paraqitur në spitalin e Traumës në Tiranë, pas përplasjes mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, përpara godinës së kryeministrisë. Ministria e Shëndetësisë raporton se 2 prej personave të plagosur janë efektivë të policisë së shtetit, ndërsa 3 të tjerë protestues. Sipas deklaratës zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, Adriatik Lapaj pas ekzaminimeve të kryera ndodhet jashtë rrezikut për jetën por po vijon të jetë në spital në kujdesin e ekipit mjekësor.
NJOFTIMI I MINISTRISË SË SHËNDETËSISË
Mirëmëngjes! Në Spitalin Universitar të Traumës, mbrëmjen e djeshme janë paraqitur 5 persona, dy prej të cilëve efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri prej tyre ka lënë Spitalin ndërsa tjetri vijon i hospitalizuar nën kujdesin e mjekëve.
Adriatik Lapaj pas ekzaminimeve të kryera ndodhet jashtë rrezikut për jetën por po vijon të jetë në spital në kujdesin e ekipit mjekësor.
Gjithashtu, për ndihmë mjekësore në spital janë paraqitur edhe dy protestues të cilët gjithashtu ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe kanë lënë ambjentet e spitalit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.
Mbrëmë rreth mesnatës, dhjetra punonjës të policisë së shtetit ndërhynë me forcë për të hequr çadrën e Lapajt, nga përpara kryeministrisë, ndërkohë që hasën në rezistencën e protestuesve. Për pasojë gjatë përplasjes, u dëmtua dhe vetë Lapaj, të cilit i ra sipër një prej bombolave të gazit, që përdorej për ngrohje. Gjatë ditës së djeshme, për disa orë, një grup i madh qytetarësh protestuan poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij. /ZËRI
