Aktualitet

“Dora e dytë” e krimit!

Motiv i dobët apo banal… arma dhe thika nuk kursyen kolegët, familjarët, gjykatës apo ata të cilët u gjetën në një konflikt të çastit…ajo që pasoi ishin dyert e mortit të hapura në familjet shqiptare nga jugu në veri.

fjona ibrahimi

“Dora e dytë” e krimit!

Teksa grupet kriminale vijuan sagën e hesapeve të pa mbyllura, krimet nuk u ndalën as nga ‘dora e dytë’ përgjatë vitit 2025! Krime brenda në familje, vrasje për nderin e motrës apo vajzës, ‘plumba’ për pronën, kanal uji, kafe, drita makine, proshutë apo një kalë….ZËRI sjell disa nga ngjarjet që tronditën me shkakun e tyre. Motiv i dobët apo banal… arma dhe thika nuk kursyen kolegët, familjarët, gjykatës apo ata të cilët u gjetën në një konflikt të çastit…ajo që pasoi ishin dyert e mortit të hapura në familjet shqiptare nga jugu në veri.

Kur dashuria ‘vret’! 2025 filloi me një histori dashurie jashtëmartesore, e cila përfundoi në vrasje. Më 5 janar 33-vjeçari Ramazan Mataj u ekzekuta në fshatin Dragoç në Postribë të Shkodrës nga djemtë e familjes Hasaj, për nderin e motrës së tyre. Autori i dyshuar, Arjon Hasaj ka treguar plotësisht vrasjen e kryer, sipas të cilit ka ardhur si shkak i një lidhje që viktima kishte me motrën e tij prej të paktën 6 vitesh. Autori ka rrëfyer se Mataj ka shkatruar dy martesa të motrës së tij, madje ish-burrit të dytë i ka dërguar video intime. Ndërsa vëllai i tij, Klisman siguroi kushtet për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit.

Por sërish një i ri do të ekzekutohej për ‘dashurinë’. Një muaj më vonë më 27 shkurt, 20-vjeçari Pavlin Preka u vra me 6 plumba në oborrin e banesës së tij në fshatin “Guci e Re” në Shkodër. Trupi i pajetë i Prekës u gjet nga xhaxhai i tij, ndërsa motivi dhe autorët u zbuluan rreth 10 muaj më vonë. Klaudio Lisaj 20 vjeç dhe Vasel Koçeku, 43 vjeç janë arrestuar si autorë të vrasjes. Vrasja dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila aktualisht është 16 vjeçe. Historia, sipas hetimeve, nis rreth tre vite më parë, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Edhe pse kërkesa ishte refuzuar nga familjarët, gjatë viteve në vijim Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën. 

Por teksa famlije hyjnë në konflikt me njëri-tjetrin, krimi do të regjistrohej edhe brenda saj. 2025 tronditi me tre raste tragjike, ku ‘arsyeja’ nuk funksionoi as para babait apo djalit dhe vajzës.

Mbrëmja e 2 shkurtit 2025, do ta gjente familjen Gjoni në Tiranë me humbjen e jetë së djalit 37-vjeçar. Asim Gjoni u vra me thikë nga babai i tij, Hekuran Gjoni në debat e sipër, të dy në gjendje të dehur. Babë e bir kishin konflikte të vazhdueshme dhe se 37-vjeçari e bullizonte dhe ofendonte të atin. Natën e ngjarjes  ata kanë debatuar verbalisht së bashku, por më pas Hekurani e ka goditur me shpullë djalin e tij të ndjerë. Viktima iu kundërpërgjigj duke e shtyrë dhe goditur duke bërë që i moshuari të rrëzohet. Pas këtij momenti autori është ngritur në këmbë, ka marrë thikën dhe ka goditur disa herë për vdekje të birin.

Rolet ndrohen në tetor, ku në Shkallnur të Durrësit, djali është ai që i merr jetën të atit. 25 vjeçari Marjan Kodheli, vret me thikë babain Pjetër Kodhelin. Sërish një debat, por këtë here jo në gjendje të dehur. Vetë i riu ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur pasi i ati i ka kërkuar të jetë më i kujdesshëm në pritjen e njerëzve, për ndarjen nga jeta të gjyshes dhe në sjellje ndaj tyre. Në një moment, ka deklaruar se i ati është afruar dhe e ka kapur prej fyti. Në këtë çast sipas prokurorisë, 25-vjeçari ka marrë një thikë aty pranë dhe ka qëlluar për vdekje të atin. Pasi ishte larguar nga banesa, ishte kthyer sërish për të marrë celularin dhe meqë e ëma i kishte hequr thikën nga dora, ai kishte marrë një shufër hekuri dhe e ka goditur sërish. 

Por s’janë rastet e vetme, një baba do të humbte jetën sërish nga dora e fëmijës së tij, këtë herë nga e bija. Ngjarja horror u regjistrua në Fier, ku 56-vjeçari, Anesti Rama u mbyt me tel nga vajza e tij, Emalinda Rama, 26-vjeçe, në bashkëpunim me nënën e saj, Valbona Rama 53-vjeçe dhe Çlirim Dogani, 55-vjeçari me të cilin ka patur marrëdhënie intime. Vajza është shprehur përpara efektivëve se i ati ishte rrëzuar në shtëpi aksidentalisht dhe kishte ndërruar jetë. Por shenjat në fytin e Anesti Rama, 56 vjeç, bënë që Policia e Fierit të dyshonin se kishin të bënin me një vrasje dhe jo me ngjarje aksidentale. Nga këqyrja e kufomës u konstatua se trupi i pajetë kishte shenja dhune edhe në pjesët intime. Vrasja dyshohet të jetë menduar mirë nga nënë e bijë. E gjitha kjo pasi të dyja e kishin dërguar dy ditë më parë tek kardiologu me qëllim që të justifikonin vdekjen e Anesti Ramës. Pas zbardhjes së krimit, Emelinda Rama e ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar se babai i saj ishte fanatik, nuk e linte të dilte dhe ndaj ishte detyruar të ndërmerrte aktin ekstrem.

Një nga problemet më dramatike në shoqërinë tonë është prona, çështje e cila fatkeqësisht shpesh herë gjen ‘zgjidhje’ me vrasje. Por plumbat në 2025 nuk 'kursyen' as drejtësinë. Ngjarja e rëndë e 6 tetorit ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit tronditi opinion shqiptar. Një vendim i dhënë në fund të seancës i kushtoi jetën.  Kalaja po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital.

28 tetori 2025 do të shënonte të martën e zezë me tre vrasje në tre orë…vrasje që tronditën me arsyet, një debat mes kolegëve nisur nga proshuta, një kalë dhe një krim në familje.

Mesditën e 28 tetorit, Marjan Kodheli, vret me thikë babain Pjetër Kodhelin. Rreth dy orë më vonë në Berat turisti vritet për një kalë. Autori Kristo Mema alias Kastriot Hoxha, 63-vjeç ofronte xhiro me kalë për turistët në zonën e kalasë. Autori ka deklaruar para hetuesëve se pasi ka parë, turistin Keli Hoxha që preku me dorë kalin i ka thënë që mos ta prekte më, pasi kali, sipas tij, nuk ishte mirë dhe ishte i acaruar. 63-vjeçari pretendon se pas kësaj, viktima e ka sharë nga familja dhe e ka ofenduar. Më pas, siç pretendon ai, në gjaknxehtësi e sipër ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka qëlluar për vdekje.

Por...vetëm 20 minuta më vonë, një tjetër vrasje tronditi vendin...këtë herë kryeqytetin. 

41-vjeçari Filip Shehu, vret me thikë kolegun e tij, 34-vjeçarin Indrit Ismaillari, në bar-restorantin “City Lounge” në zonën e 'Komunës së Parisit', Tiranë. Gjatë debatit, viktima hap frigoriferin për të marrë një kuti proshute, ndërsa në atë moment, pasi dëgjon ofendimet, autori merr një thikë kuzhine dhe e godet tre herë, një herë në qafë dhe dy herë në bark. Autori, i cili ka rezultuar më herët i dënuar po për mbajtje të armëve të ftohta, kishte rreth 7 muaj që punonte si picier në lokalin ku ndodhi ngjarja, ndërsa viktima ishte kuzhinier.

Duke mbetur tek vrasjet për për motive të dobta, në Durrës armët do të shkrepeshin për një kafe. 33-vjeçari Flori Paluçi ekzekuton në orët e para të mëngjesit të 22 tetorit me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti. Më pas ndaj 33-vjeçarit ka qëlluar një 21-vjeçar Daniel Pepa, duke e lënë të vdekur. Kamarieri ka rrëfyer se Daniel Pepa i ka kërkuar kafe por i është shprehur se ekspresi është i fikur. Danieli i ka kërkuar që ta ndizte ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamerierit. Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë që t’i nuk mund ta fyesh, pasi kamerieri është ulur në tavolinë me mua. Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Gushti do të trondiste Divjakën ku 32-vjeçari Besmir Kumria u vra me thikë për vdekje nga 25-vjeçari Xhesion Toromeni për kanalin vaditës në fshat. Familjet e tyre kishin pasur konflikte të vazhdueshme për kanalin vaditës, sherr i cili mori dhe një jetë.

Një konflikt banal do të përgjakte më 3 maj rrugën për në Kishën e Laçit, ku dy grupe djemsh u përplasën me armë zjarri  me njëri-tjetrin, me një bilanc 6 të plagosur dhe një viktimë. Daniel Gjeloshi, një nga të plagosuri 27 vjeç, dhe Klevis Ndreca kanë qëlluar në drejtim të mjetit, ku ndodheshin Liridon Ismaili 26 vjeç, Amarildo Ndoj dhe i ndjeri Geri Bitri 24 vjeç. Të dy mbetn të plagosur, ndërsa plumbat kapën edhe Angjelina Gjezajn, e cila ka qenë duke shitur qirinj për besimtarët që vizitojnë Kishën e Laçit. Konflikti mes te rinjve kishte nisur për shkak të një aksidenti rrugor me dëme shumë te vogla materiale dhe më pas ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit.

Por jo vetëm aksidenti, shkak për vrasje në 2025 ishin edhe dritat e makinës! Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës së 27 shtatorit, një sherr banal për dritat e gjata të makinës çoi në vrasjen e 44 vjeçarit Italian, Edoardo Sarchin. Kamber Sulçaj i bezdisur nga dritat e automjetit që drejtonte Sarchi dhe tre miqtë e tij shqiptarë - Eqrem, Daniel dhe Gazment Braçi - u hakmor me një armë zjarri. Nga hetimet ka rezultuar se Kamber Sulçaj fillimisht është konfliktuar verbalisht, me biznesmenin italian Edoardo Sarchi dhe me shtetasit që shoqëronin këtë të fundit. Më pas, Sulçaj dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të këtyre shtetasve dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën biznesmeni italian.

Por krimi per shkaqe banale nuk ka kursyer as të miturit! 15-vjeçari, Erion Boba u vra nga bashkëmoshatari i tij për një koment në në platformën TikTok. Autori, 14-vjeçar ka deklaruar se në sherr janë përfshirë shumë persona, bashkëmoshatarë, të ndarë në grupe. I mituri u shpreh se ishin pajisur me mjete të forta, si masë për ndonjë konflikt të mundshëm. Ditën e ngjarjes, pasi kanë debatuar dhe qëlluar me sende të forta, 14-vjeçari ka nxjerrë thikën, por sipas tij për vetëmbrojtje dhe vetëm për ta trembur.

Vrasjet për motive banale janë dëshmi se shoqëria po humb ‘betejën’ me arsyen, duke e kthyer jetën në një çmim të pavlerë për një fjalë më shumë apo një inat të çastit …2025 la pas jo vetëm viktima, por edhe një shoqëri që ende nuk ka mësuar të ndalë dorën…/ZËRI

Poll

MOS HUMB