
TIRANË-Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për Arbër Çekaj lidhur me dënimin e tij me 14 vite burg për trafikimin e 613 kg kokainë e fshehur në banane. Fillimisht ai u dënua me 21 vite nga Apeli i Posaçëm, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 14 vite burg.
Në fuqi u lanë dënimet edhe për dy personat e tjerë të dënuar për trafikun e kokainës, Donaldo Lushajn administratorin e kompanisë dhe Armando Pezakun, shoferin e kamionit. Kujtojmë se Çekaj tentoi edhe të arratisje nga paraburgimi 313, në Gusht të vitit 2021, dhe për këtë çështje ka një tjetër dënim prej 1 viti burg.
Arbër Çekaj është pronari i kompanisë “Arbri Garden” në kontenierët me banane të së cilës në fund të shkurtit të 2018 u kapën edhe 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia. Vetë Çekaj ka mohuar akuzat në drejtim të tij edhe pse Gjykata e Posaçme e ka shpallur fajtor. Një ndjekje penale nisi edhe për të atin e tij, Selim Çekajn, pasi në konterinerët e komapnisë së tyre u gjetën sërish 49 kg kokainë që do të vinin nga Ekuadori në portin e Durrësit. Nga hetimi i SPAK nuk është provuar dijenia e Selim Çekajt mbi drogën, kështu që u kërkua pushimi i çështjes për të./ZËRI