Aktualitet

Plagosi me pistoletë stilolaps 15-vjeçarin në piceri, arrestohet autori: Armën e hodha te 'Don Bosko'

Në kërkim vijon të jetë administratori 24-vjeçar i picerisë ku ndodhi ngjarja, Leonardo Mejdani.

F.I
Plagosi me pistoletë stilolaps 15-vjeçarin në piceri,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Dy ditë pas plagosjes së kamarierit 15-vjeçar në picerinë 'Fantazia' në rrugën Ali Demi në Tiranë, policia ka arrestuar sot autorin e ngjarjes, 21-vjeçarin, Aldi Neziri. Autori punonte si shpërndarës picash dhe pretendon se ngjarja ishte aksidentale dhe armën e hodhi në zonën e 'Don Boskos', por nuk është gjetur ende nga Policia. Në kërkim vijon të jetë administratori 24-vjeçar i picerisë ku ndodhi ngjarja, Leonardo Mejdani.

Njoftimi i policisë:

Plagosi me armë atipike, për motive të dobëta 15-vjeçarin në një piceri te “Ali Demi” si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar edhe në inteligjencën policore, kapet dhe vihet në pranga nga Policia. Dje u arrestuan edhe 3 punonjës të picerisë, pasi dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri. Vijon puna për kapjen e administratorit të picerisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar në inteligjencën policore, kapën dhe ndaluan shtetasin A. N., 21 vjeç, banues në Tiranë.

Ndalimi i tij u bë pasi, më datë 01.06.2025, në një piceri te “Ali Demi”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, plagosi me armë atipike një 15-vjeçar.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të 21-vjeçarit.

Aldi Neziri, motoristi i picerisë ka qëlluar me armë zjarri-stilolaps kamerierin 15-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, që ndodhi më 1 qershor në ambientet e picerisë 'Fantazia' te “Ali Demi”. Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar edhe Ferit Basha, Andi Hyka dhe Keivin Bala, punonjës të picerisë, pasi ata kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë fshehur pamjet filmike që mund të zbardhnin ngjarjen.

15-vjeçari kishte rreth 2 javë që ishte punësuar në piceri, pasi ishte piceri e kushëririt e tij dhe kishte nisur punë për ta ndihmuar. Ndërkohë, nuk rezulton të ketë qenë i siguruar apo brenda rregullave të ligji të punës për shkak të moshës. Hetuesit do të kërkojnë informacion te institucionet tjera për të sqaruar situatën ligjore të punësimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB