
TIRANË-Janë zbardhur emrat e të arrestuarve në kuadër të operacionit të përbashkët të Prokurorisë së Posaçme me autoritetet finlandeze, ku u godit rrjeti kriminal i trafikut të drogës nga Shqipëria, Spanja e Holanda drejt Finlandës. Mes të arrestuarve është edhe një grua.
Emrat e 9 shqiptarëve të arrestuar:
-Dorjan Luzaj
-Geraldo Seferaj
-Elton Myftari
-Elton Tavani
-Erind Teneqexhiu alias Agalliu
-Kela Qevani
-Ledion Hoxha
-Besnik Sparta
- Altin Musta
Shqiptarët drejtonin rrjetin e trafikut të drogës nga Shqipëria dhe vepronin nga qytete si Tirana, Vlora, Berati apo dhe Kuçova. SPAK dhe autoritetet finlandeze goditën një rrjet të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sintetike, pas dy vitesh hetime me metoda speciale dhe proaktive, përgjime dhe gjurmime. Bëhet fjalë për 4 grupe kriminale, të cilët drejtoheshin nga Shqipëria, me 11 shqiptarë ndaj të cilëve ka masa sigurie 'arrest me burg' nga SPAK dhe GJKKO, ku 9 prej tyre janë ekzekutuar pas operacionit të organizuar sot.
Këto grupe, të krijuara dhe drejtuar nga shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës, sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë; kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope.
SKEMA
Njëra nga rrugët ka qenë transportimi nga Holanda në Finlandë duke përdorur kamion, një kamion me targa polake dhe një shofer polak. Një tjetër rrugë ishte trafikimi nga Spanja përmes shërbimit postar, që po ashtu u kishte rezultuar mjaft efektiv. Pasi droga arrinte në destinacion, grupi tjetër, i drejtuar po nga shqiptarë, merrej me shpërndarjen brenda për brenda territorit të Finlandës./ZËRI