SHKODËR-Vrasja e Kristian Kolës mbrëmjen e 4 shtatorit në qendër të Shkodrës, mbetet pa një shkak apo autor! Deri tani hetimet tregojnë se atentatin e kryen dy persona, të cilët lëviznin me motor dhe qëlluan në drejtim të tij me një armë gjysmë silenciator, duke e lënë 34-vjeçarin të vdekur në vend.
Sipas Tv Klan, motori i përdorur nga autorët është gjendur i shkrumbuar në fshatin Vukatanë dhë është dërguar për ekzaminim në laboratorin e kriminalistikës me qëllim përftimin e ndonjë gjurme. Gjithashtu hetuesit shpresojnë të arrijnë të sigurojnë nr. e shasisë së tij, për të zbuluar më pas mënyrën se si ai ka rënë në duart e vrasësve.
Nga rindërtimi i ngjarjes rezulton se qitësi ishte profesionist, pasi nuk ka shkaktuar dëme anësore, edhe pse shumë afër viktimës ndodhej shoku i tij. Motivet e vrasjes mbeten të paqarta. Pista e parë lidhej me një konflikt të 34-vjeçarit rreth një viti e gjysmë më parë, por pas verifikimeve ajo u hodh poshtë. As konfliktet e mundshme për biznes nuk kanë rezultuar si pistë e fortë.
Kristian Kola u ekzekutua mbrëmjen e 4 shtatorit teksa ishte duke pirë kafe në mes të qytetit, në një lokal te ‘Kinema Republika'. Vrasja ndodhi rreth orës 22:30, ku dy autorë me motor dhe skafanda në kokë kanë qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Policia dyshon se autorët kanë pasur një informator të tretë, i cili iu ka dhënë detaje mbi lëvizjet e të riut./ZËRI

