SHKODËR- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qendër të Shkodrës, ku u ekzekutua me armë zjarri 34-vjeçari Kristian Kola. I riu u qëllua në dalje të një lokali, ku ishte takuar me mikun e tij, ndërsa autorët kanë qenë me skafandra dhe janë larguar me motor nga vendi i ngjarjes. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën përreth, një nga më të frekuentuarat në Shkodër, dhe po punon për identifikimin e autorëve.
Nga hetimet paraprake rezulton se viktima nuk ka precedent të mëparshëm penalë, ndërkohë që së bashku me babanë e tij, kanë pasur një firmë ndërtimi. Policia dyshon se autorët kanë pasur një informator të tretë, i cili iu ka dhënë detaje mbi lëvizjet e të riut.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje personin e fundit që ka takuar Kolën si dhe familjarë të tij, për të mësuar mbi konflikte të mundshme që i riu ka pasur. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se vrasësi mund të ketë qenë profesionist, pasi nuk ka shkaktuar dëme anësore, edhe pse shumë afër viktimës ndodhej shoku i tij. Ndryshe nga atentate të tjera që kanë ndodhur më herët në Shkodër, autorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë, pasi dhe mjeti që kanë përdorur dhe armët nuk janë gjetur. /ZËRI