Aktualitet

Kërkoi lirinë! Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

Çështja u rikthye në Gjykatën e Lartë nga Gjykata Kushtetuese, e cila kërkoi rishqyrtimin e vendimit për masën “arrest në burg” dhe argumentimin e arsyeve se përse nuk është e përshtatshme një masë tjetër më e butë.

F.I
Kërkoi lirinë! Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn
Erion Veliaj

TIRANË-Sot në Gjykatën e Lartë u shqyrtua masa e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.  Veliaj kërkoi lirimin e menjëhershëm, si edhe shqyrtimin në themel të pretendimeve të paraqitura në rekurs, por Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut, duke e lënë në qeli.

“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar. Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.

Jashtë ambjenteve të Gjykatës u mblodhën një grup protestuesish, të cilët u shprehën kundër lirimit të Veliajt. Pas vendimit, qytetarët që qëndronin jashtë godinës kanë shpërthyer në kor: “O Erion, prit Ramën se po vjen”.

Çështja u rikthye në Gjykatën e Lartë nga Gjykata Kushtetuese, e cila kërkoi rishqyrtimin e vendimit për masën “arrest në burg” dhe argumentimin e arsyeve se përse nuk është e përshtatshme një masë tjetër më e butë. Trupa gjykuese që do të shqyrtojë çështjen në Gjykatën e Lartë përbëhet nga Sander Simoni si relator, ndërsa anëtarë janë Valbon Çekrezi dhe Genti Shala. 

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB