Aktualitet

Bazës Ajrore të Farkës i ndryshon komandanti, Bedri Kaloshi merr detyrën

Gjatë ceremonisë, ministri Nufi vlerësoi angazhimin e Forcës Ajrore në përballimin e situatave të emergjencave civile dhe veçanërisht ndërhyrjet gjatë zjarreve të muajve të fundit.

M.K.
Bazës Ajrore të Farkës i ndryshon komandanti, Bedri Kaloshi merr
Baza Ajrore e Farkës

TIRANË- Nënkolonel Bedri Kaloshi ka marë zyrtarisht detyrën e komandantit të Bazës Ajrore të Farkës, duke pasuar në këtë pozicion nënkolonel Ervin Buzin i cili për 20 vite ka shërbyer në Forcat e Armatosura. Ndërrimi i komandës u zhvillua në një ceremoni ku ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Edmond Voci, si dhe efektivë e personel i Bazës Ajrore të Farkës.

Gjatë ceremonisë, ministri Nufi vlerësoi angazhimin e Forces Ajrore në përballimin e situatave të emergjencave civile dhe veçanërisht ndërhyrjet gjatë zjarreve të muajve të fundit. Ai u shpreh se pas çdo operacioni qëndrojnë efektivë që përballen me situata të vështira për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

"Pas tyre qëndrojnë njerëz që i shërbejnë Atdheut, komunitetit dhe shqiptarëve për tu mbrojtur nga fatkeqësitë natyrore. Kjo është përmbushja e misionit!" tha ministri Nufi.

Duke sjellë në vëmendje situatat e krijuara në disa zona të vendit, ministri theksoi se gatishmëria e ekipeve ajrore ka qenë e rëndësishme për qytetarët që prisnin ndërhyrjen e helikopterëve në orët e para të mëngjesit.

"Janë ata njerëz që kërkoheshin me zor në orën katër e në pesë të mëngjesit në Krujë, në Himarë dhe në Levan. Duke thënë njerëzit 'O Zot, kur do të vijë mëngjesi, që të vijë helikopteri'. Një falënderim i jashtëzakonshëm për të gjithë ju, për të gjithë Forcën Ajrore për çdo efektiv!" tha ministri Nufi.

Në fjalën e tij, Nufi falënderoi gjithashtu nënkolonel Ervin Buzin për kontributin e tij gjatë dy dekadave në Forcat e Armatosura dhe për punën e bërë në drejtimin e Bazës Ajrore të Farkës. Ndërsa për komandantin e ri, nënkolonel Bedri Kaloshin, ministri shprehu urimet për detyrën e re, duke i kërkuar që të vijojë punën dhe standardet e vendosura nga paraardhësi i tij dhe i gjithë personeli i bazës./ZËRI

Poll

MOS HUMB