TIRANË- Apeli i Posaçëm ka lënë në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë "arrest me burg". Vetë Veliaj ishte fizikisht i pranishëm në gjyaktë, ndërsa në mbrojtje ishte avokatja Valentina Teodoresku.
Në Apelin e Posaçëm sot do të zhvillohet seanca për të shqyrtuar ankimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, lidhur me masën e “arrestit me burg” ndaj tij. Kryebashkiaku Veliaj kundërshton vendimin e marrë më 1 shkurt nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila ka argumentuar se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për mbajtjen në fuqi të masës më të rëndë të sigurimit personal.
Nga ana tjetër, Veliaj ka kërkuar një masë më të butë, duke ofruar edhe garanci pasurore apo çdo masë tjetër veç asaj në fuqi. Kërkesa e tij vjen pasi mbrojtja ka argumentuar se nuk ka rrezik për të prishur provat, pasi çëështja tashmë ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar. Në seancën e sotme, pritet që Apeli i Posaçëm të vlerësojë nëse janë kushtet dhe kriteret ligjore që Veliaj të lërë qelinë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
