TIRANË- Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni ka dalë nga GJKKO, ku iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në dalje nga ambjentet e Gjykatës së Posaçme, Hyseni nuk ka dhënë asnjë deklaratë për gazetarët.
“A i keni fikur radarët zonja Hyseni?
A ndjeni përgjegjësi morale për këtë skandal që ka shpërthyer dhe që është cënuar siguria kombëtare. A ndiheni përgjegjëse?”, ishin disa prej pyetjeve të gazetarëve, që zonja Hyseni nuk iu përgjigj, ndërsa vendosi të ‘kyçë’ gojën para mediave.
Ish-drejtoresha e SHISH është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimet janë vijim i dosjes së AKSHI-t, ku në fokus është edhe biznesmeni Ergys Agasi.
Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda.