Aktualitet

A ka të drejtë ligjore BKH të kryejë arrestime pa Policinë e Shtetit?

Lamallari u shpreh se ligji e parashikon që edhe BKH të zbatojë masa sigurie. 

F.I
A ka të drejtë ligjore BKH të kryejë arrestime pa
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen arrestimin e parë pa Policinë e Shtetit, gjatë një operacioni të zhvilluar më 2 korrik ku u vendos në pranga Adi Çoba. Vetë kreu i SPAK, Klodian Braho ka deklaruar se SPAK nuk duhet të varet nga institucione të tjera dhe arrestimet mund të bëhen edhe nga agjentët e BKH. Lidhur me këtë Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një intervistë për Report.Tv u shpreh se ligji e parashikon që edhe BKH të zbatojë masa sigurie. 

Lamallari deklaron se Policia e Shtetit ka mbajtur peshën më të madhe për zbatimin e masave të sigurisë, por nënvizon se është detyrim ligjor si për oficerët e policisë gjyqësore, qofshin këta nënpunësit e prokurorisë së përgjithshme apo së posaçme, por ashtu për policinë e shtetit që është aty për të zbatuar çdo masë.

Besfort Lamallari: Policia e shtetit në zbatim të detyrimeve ligjore, ka mbajtur peshën më të madhe në zbatim të masave të sigurisë, jo vetëm me prokurorinë e përgjithshme por edhe me SPAK. Sa i përket zbatimit të disa masave të sigurisë, si rasti i fundit, për sa kohë ligji e parashikon që para 10 vitesh kur ne miratuam reformën në drejtësi duke i dhënë mundësinë që jo vetëm oficerët e BKH të kenë atributet e policisë gjyqësore, por edhe të zbatojnë masat e sigurisë, unë e shoh si zbatim të ligjit të asaj çfarë ne kemi planifikuar kur konceptuam dhe miratuam reformën në drejtësi. Është detyrim ligjor si për oficerët e policisë gjyqësore, qofshin këta nënpunësit e prokurorisë së përgjithshme apo së posaçme, por ashtu për policinë e shtetit që është aty për të zbatuar çdo masë që i delegohet nga prokurori i çështjes.

I pyetur nëse fakti që BKH po kryen arrestime pa Policinë e Shtetit lidhet me mungesë besimi nga ana e SPAK, ministri e mohoi një interpretim të tillë.

Besfort Lamallari: Për sa kohë ligji e parashikon, që prej reformës në drejtësi, që oficerët e BKH-së jo vetëm të kenë atributet e policisë gjyqësore, por edhe të zbatojnë masat e sigurisë, unë e shoh këtë si zbatim të ligjit dhe të asaj që kemi konceptuar kur miratuam reformën në drejtësi.

Poll

MOS HUMB