Aktualitet

“Ai gjyqtar që dënon nipin tim do përballet me plumba”, shoqërohet në polici Gjovalin Shkambi

Menjëherë pas kanosjes publike që Gjovalin Shkambi bëri në drejtim të gjyqtarëve, policia ka bërë shoqërimin e tij për në ambientet e komisariatit

E.K
“Ai gjyqtar që dënon nipin tim do përballet me
gjovalin shkambi

SHKODËR- Policia e Shkodrës ka shoqëruar në komisariat Gjovalin Shkambin, pas deklaratave të tij se çdo gjyqtar që do të dënonte nipin e tij Elvis Shkambi, do të përballej me fatin e të ndjerit Astrit Kalaja. Menjëherë pas publikimit në media të deklaratës së frikshme të tij, policia ka shoqëruar në komisariat Shkambin, i cili së bashku me 5 fëmijët e tij jeton në godinën që është bërë mollë sherri mes familjeve në Shkodër.  

Çfarë deklaroi Gjovalin Shkambi 

“Ai gjyqtar që dënon nipin tim do të përballet me të njëjtën gjë, do të përballet me plumba, ka të njëjtin shpërblim. Ka 13 vjet që i shkojmë kryeministrit e gjithë qeverisë, na jepni pronën se ua kemi blerë. Provat i dhamë. Ose të na çojnë në burg, nëse e kemi privatizuar gabimisht.  Familjes së ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë dhe i kërkoj hallallin me kishë e xhami.

Por ai që dënon atë djalë, ai gjykohet sikur është gjykuar Astriti. Kemi blerë pronën me ligj me rregulla, jemi me borxh. Kush dënon atë djalë të njëjtën gjë ka, në qoftë edhe Donald Trump edhe Papa, s’ka lojë me ne më.  Ne i kemi fituar të gjitha gjyqet, i kemi me certifikatë, të hetojë shteti, se ka 13 vjet që i shkruaj Edi Ramës, liromë pronën. Dhe s’ka lojë më me ne".

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seance gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Dyshohet se autori tashmë i identifikuar, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks.

Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Elvis Shkambi është autori i ngjarjes, i cili u arrestua menjëherë pas krimit, ndërsa në pranga ka rënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi. Gjithashtu në pranga ka rënë edhe një punonjës sigurie i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili lejuar hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi. Gjykata e Apelit ka marrë një vendim drastik pas vrasjes në sallën e gjyqit të magjistratit Astrit Kalaja. Ditën e sotme do të pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit, dhe asnjë qytetar nuk do të jetë i pranishëm në ambientet e këtij institucioni. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB