DELVINË- Elvisa Dhimaku 22-vjeç dhe motra e saj Rozina Dhimaku 20-vjeç, janë dy të rejat të cilat humbën jetën mbrëmjen e së dielës në një aksident rrugor në aksin Delvinë-Sarandë, ndërsa 24-vjeçarja Antonela Zhupa mbeti e plagosur rëndë.
Tre vajzat po udhëtonin me një automjet tip "Lancia" që drejtohej nga 20-vjeçarja, ndërsa motra e saj ishte pasagjere. Kjo e fundit, mësohet se ishte studente e mjekësisë. Ndërkohë, 24-vjeçarja është e vetmja që i ka shpëtuar aksidentit tragjik. Ajo ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Bëhet me dije se mjeti i viktimave është përplasur me një makinë tjetër e drejtuar nga 23-vjeçari Kevin Nora, i cili u arrestua nga policia. Blutë bëjnë me dije se 23-vjeçari rezultoi se ka qenë i dehur gjatë aksidentit: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l.
"Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.", njoftoi sot policia.
Ende nuk dihen detaje, por paraprakisht dyshohet se shoferi në gjendje të dehur është futur në krahun e kundër të rrugës dhe ka dalë përballë makinës ku udhëtonin tre vajzat. Kjo manovër e tij ka rezultuar fatale për dy motrat, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit tragji/ZËRI