TIRANË-Një aksion policor është zhvilluar në Zallë të Fushë-Krujës pas zbulimit të vendodhjes së Ylli Zallës, i cili rezulton i shpallur në kërkim edhe për dy arsenale armësh një në Zall dhe një në Nikël. Ky i fundit u zbulua tre ditë pas atentatit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Por i shumëkërkuari Ylli Zalla ka arritur t’i shpëtojë një operacioni policor në Fushë Krujë, pavarësisht se ishte lokalizuar nga uniformat blu.
Mjeti tip 'Toyota Yaris' i autorëve të atentatit në Rinas doli nga banesa e Ylli Zallës, i shpallur në kërkim për arsenalin e armëve të gjetur në Nikël. Zalla dyshohet se është personi që iu ka siguruar armët atentatorëve. 48-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia, rezulton person me precedentë penalë për trafik armësh dhe vendosje eksplozivi. Ylli Zalla njihet edhe për rekrutime të shqiptarëve në ISIS.
Në bazën e dytë në fshatin Zall u gjetën në tokë dhe u sekuestruan 24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti, 3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh, 2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme./ZËRI


