FUSHË-KRUJË-Zbulohet lidhja e arsenalint me armë në fshatin Zallë, Fushë-Krujë me atentatin e 11 nëntorit pranë Aeroportit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë miku i tij, Muçi Shaljani alias Sheqeri, agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Mjeti tip 'Toyota Yaris' i autorëve të atentatit në Rinas doli nga banesa e Ylli Zallës, i shpallur në kërkim për arsenalin e armëve të gjetur në Nikël. Zalla dyshohet se është personi që iu ka siguruar armët atentatorëve. 48-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia, rezulton person me precedentë penalë për trafik armësh dhe vendosje eksplozivi. Ylli Zalla njihet edhe për rekrutime të shqiptarëve në ISIS.
Në vitin 2014 ai u arrestua për prodhim të bombave artizanale. Sipas policisë ai dyshohej për lidhje me grupin e muxhahedinëve që dërgojnë shqiptarë për të luftuar në Siri. Ndaj tij Gjykata e Shkallës në Parë në Krujë kishte vendosur më 13 mars të 2014 masën e arrestit me burg pasi ka kryer vepren penale "Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake” si dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Ndërkohë Zalla është arrestuar edhe në vitin 2011, pasi kishte kërcënuar me jetë edhe ish-pronarin e fabrikës së çimentos në Krujë.
Arsenali u gjet gjatë kontrolleve të ushtruara nga RENEA për atentatin e ndodhur më 11 nëntor pranë Aeroportit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë miku i tij, Muçi Shaljani alias Sheqeri, agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Në banesën e 48-vjeçarit u gjetën municione të ndryshme si armë automatikë, mitroloz, granata, fishekë të kalibrave te ndryshme, fitil zjarrpërcjellës, granata si dhe lëndë plasëse të lidhura me celularë për shpërthime në distancë./ZËRI