
TIRANË- Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës Fatbardh Sallaku që do të flasë nesër në mbledhjen e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, është një emër i njohur për mediat. Rektori në vitin 2021 lidhi marrëveshje me shoqërinë koncensionare për inceneratorin “Integrated Energy”, e cila në vitin 2023 u sekuestrua nga SPAK. Asokohe, Sallaku u shpreh se kjo marrëveshje ka rëndësi pasi kompania është një ndër më seriozet në fushën e menaxhimit të mbetjeve.
“Të gjithë biem dakord që mënyra e menaxhimit të mbetjeve është kjo mënyrë e cila ju ofroni nëpërmjet kompanisë suaj. Ne shpresojmë shumë që kjo marrëveshje, të jetë vetëm një nisje e një bashkëpunimi të gjatë me një ndër kompanitë më serioze të fushës së menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri”, tha Sallaku në fjalën e tij.
Por, 2 vite më vonë nga nënshkrimi i marrëveshjes në vitin 2023, shoqëria u sekuestrua nga SPAK, ndërsa drejtuesit e saj janë në burg. Të pandehur në lidhje me çështjen janë Lefter Koka, Taulant Tusha, Pëllumb Abeshi, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Sidita Tola, Jetmir Llapaj dhe Erjon Murataj. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Sot, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një aksio n në UBT, ku preu 24 masa sigurie. Aksioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve që zbuluan abuzime me disa tendera në UBT. Zyrtarët dyshohen se manipuluan kriteret për tenderat dhe përfituan 3 kompani duke përfituar 90 milionë lekë./ZËRI