SHKODËR- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shkodër ka bllokuar sërish një sasi të konsiderueshme misri prej 75 tonë, të importuar nga Serbia. Sasia e misrit është ndaluar në doganën e Hanit të Hotit, me qëllim kryerjen e analizave laboratorike. Deri ne daljen e analizave, misri do të qëndrojë i bllokuar.
Sakaq, nëse konfirmohet prania e substancave të ndaluara, këto mallra nuk do të lejohen të hyjnë në territorin shqiptar. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, u bllokuan 25 tonë misër nga i njëjti subjekt eksportues, duke e çuar në 100 tonë sasinë totale të ndaluar.
Sipas njoftimit të AKU Shkodër, kontrollet janë ndërmarrë për të përcaktuar nëse produkti përmban nivele të larta të aflatoksinës B1, një substancë toksike dhe kancerogjene që mund të tejkalojë normat e lejuara në Shqipëri. Ndërkohë, autoritetet kanë bllokuar edhe një fermë në fshatin Trush, pasi nga sistemi i gjurmueshmërisë ka rezultuar se ajo furnizohej me misër blegtoral nga subjekti i ndaluar në doganë./ZËRI