TIRANË- Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Xhelal Rrajës për ndryshim të masës së sigurisë nga "arrest me burg" në "arret shtëpie", duke e liruar nga burgu. Mësohet se Xhelal Rraja do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore. Sakaq, atij i ndalohet komunikimi me persona të tjerë përveç atyre me të cilët ndan banesën.
Vendimi i GJKKO:
1. Kërkuesi Xhelal Rraja me datë 17.12.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit të vendimit Nr. 49, datë 15.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, miratuar me vendimin Nr. 78, datë 12.07.2024 të kësaj Gjykate dhe caktimin e
masës së sigurimit atë të “Detyrimit për t’u paraqitur pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore”, për këtë shtetas”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 26, datë 04.02.2026, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj të pandehurit Xhelal Rraja, me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 dhe me vendimin Nr.78, datë 12.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
3. Urdhërohet i pandehuri Xhelal Rraja, të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në ****, Njësia Administrative ****, ****.
4. Urdhërohet i pandehuri Xhelal Rraja, të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të personave që bashkëjetojnë me të.
5. Zbatimi dhe mbikqyrja e vazhdueshme e kësaj mase sigurimi të bëhet nga Komisariati i Policisë që mbulon vendbanimin e tij.
6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Xhelal Rraja, nga ambjentet e paraburgimit nëse nuk mbahet i arrestuar, i ndaluar ose i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
7. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. Tiranë, më datë 04.02.2026.
Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit Rrahman Rraja, u arrestua në korrik të viti 2024. Xhelal Rraja u la në masën e sigurisë "arrest me burg", pasi akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje, në vijim të operacionit “Revanshi”.
Sipas SPAK, ai akuzohej si një nga anëtarët e bandës së Niklës dhe se bashkë me Durim e Valter Bamin bashkëpunonin për të ekzekutuar Arben Ndokën. Një prej atentateve ishte planifikuar të finalizohej në kafen e ngushëllimit në shtëpinë e një gjyqtari në Tiranë. Por, ish-deputeti socialist shpëtoi pasi nuk u paraqit për ngushëllim. Rraja dhe vëllezërit Bami kanë bashkëpunuar edhe me Endrit Doklen për të kryer vrasjen e Ndokës por edhe të ish-bossit të lojërave të fatit që sot rezulton i zhdukur pa gjurmë, Ervis Martinaj.
Zbërthimi i mesazheve të enkriptuara zbuloi përplasjen mes grupeve, pasi Ndoka gjithashtu kishte tentuar disa herë që të vriste Durim Bamin, pasi kishte dyshime se ishte përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka. Ndoka nga ana tjetër, bashkëpunonte me Ervis Martinajn, Emiljano Shullazin dhe Astrit Avdylajn, që është vënë në pranga gjithashtu./ZËRI