KORÇË- Forca të shumta policore bllokuan një automjet tip "Audi A6" në lagjen nr.18 të qytetit të Korçës, pas dyshimeve se brenda tij gjenden lëndë shpërthyese. Policia bën me dije se pas verifikimit të plotë nga forcat xheniere anti-eksploziv, rezultoi se në automjet ishte vendosur një pajisje GPS dhe jo lëndë plasëse.
Sipas burimeve, ishte vetë pronari i makinës, Gëzim Pasho, ai që zbuloi pajisjen në orët e para të mëngjesit, e vendosur në pjesën e pasme të automjetit, dhe më pas lajmëroi policinë. Drejtuesi i mjetit do të merret në pyetje për të sqaruar më tepër rrethanat si dhe personat që ai mendon se janë të dyshuar për vendosjen e këtij objekti në makinën e tij.
Njoftimi:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 09.00 të datës 17.05.2026, në lagjen nr. 18, Korçë, në rrugën “Petraq Shomo”, në gomën e pasme të automjetit në pronësi të shtetasit G. P., është konstatuar një pako, e cila dyshohej se mund të kishte lëndë eksplozive.
Policia rrethoi zonën për të mbajtur larg perimetrit të rrezikut banorët përreth.
Në vendngjarje shkuan Forcat Xheniere për të vlerësuar situatën dhe për të kryer procedurat e nevojshme.
Nga kontrolli i kryer nga këto shërbime, rezultoi se objekti i vendosur në automjet ishte një aparat GPS dhe jo lëndë plasëse.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personit që ka vendosur aparatin GPS.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e autorit/autorëve, ndërsa burime bëjnë me dije se janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin./ZËRI