Aktualitet

Alarm te Raiffeisen Bank Albania! Qytetarëve u vidhen të dhënat bankare, arrestohet autori holandez

Lidhur me skemën e mashtrimit Policia ka arrestuar në pranga një 25-vjeçar holandez, ndërsa në kërkim u shpall bashkëpunëtori i tij.

F.I
Alarm te Raiffeisen Bank Albania! Qytetarëve u vidhen të dhënat
MESAZHI

TIRANË-Një mesazh i dërguar në numrat e abonentëve të Raiffeisen Bank u ka kushtuar disa qytetarëve humbjen e të dhënave bankare. Mesazhi synon që klientëve t'u merren të dhënat e llogarisë bankare dhe më pas t'u vidhen. Konkretisht banka dhe Policia e Shtetit njoftuan se përdoruesve u kërkohej të “përditësonin” të dhënat e tyre duke klikuar në një link që imitonte faqen zyrtare të bankës. Sapo hynin në link dhe plotësonin informacionin, qytetarët u jepnin autorëve akses në të dhënat e tyre bankare.

Alarm te Raiffeisen Bank Albania! Qytetarëve u vidhen të dhënat

"Ditët e fundit janë raportuar mesazhe SMS mashtruese me përmbajtje të ngjashme me sa më sipër. Këto mesazhe janë tentativa mashtrimi me qëllime keqdashëse! Përmes tyre synohet të merren të dhënat tuaja bankare me qëllim përdorimin e tyre në mënyrë të padrejtë për kryerjen e veprimeve nga llogaria/llogaritë tuaja në Raiffeisen Bank, në përfitim të dërguesit. Nëse keni klikuar në linke të dyshimta ose keni ndarë informacionet tuaja, ju lutemi kontaktoni menjëherë me Qendrën e Kontaktit në numrin 042 381 381. Këto mesazhe zakonisht përmbajnë: Lidhje të dyshimta që ju kërkojnë të klikoni për të "konfirmuar" ose "verifikuar" diçka Kërcënime për mbyllje të llogarisë, ose Premtime për shpërblime apo dhurata të rreme,"-njoftoi banka.

Lidhur me skemën e mashtrimit Policia ka arrestuar në pranga një 25-vjeçar holandez, i identifikuar me inicialet I.K., ndërsa një tjetër person, me inicialet A.R., është shpallur në kërkim.

Policia nuk ka bërë të ditur sa persona janë dëmtuar apo sa është vlera e parave të përfituara përmes skemës. Ndaj të arrestuarit rëndojnë akuzat për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Falsifikim kompjuterik”. Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë linke të dyshimta që u vijnë me SMS apo email dhe të mos japin të dhëna bankare përmes faqeve të panjohura.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni i koduar “Banka e Rreme 2”. Policia e Shtetit, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik dhe mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet online, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Banka e Rreme 2”.

Operacioni u zhvillua pas identifikimit të një fushate mashtruese të tipit “smishing”, përmes së cilës qytetarë të ndryshëm kanë marrë mesazhe (SMS) në emër të një institucioni bankar të nivelit të dytë, ku u kërkohej përditësimi i të dhënave bankare nëpërmjet klikimit të një linku mashtrues që imitonte faqen zyrtare të institucionit financiar.

Si pasojë e kësaj skeme kriminale, disa qytetarë kanë dhënë të dhënat e tyre bankare, duke u bërë viktimë e mashtrimit.

Falë reagimit të menjëhershëm të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në koordinim me Prokurorin e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj skeme, shtetasit I.K., 25 vjeç, me nënshtetësi holandeze, si edhe shpallja në kërkim e shtetasit A.R të dyshuat si bashkëpunëtor në këtë veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të parashikuara nga nenet 143/b dhe 186/a të Kodit Penal.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve apo linkeve të dyshimta që kërkojnë të dhëna personale ose bankare. Asnjë institucion bankar nuk kërkon përditësim të të dhënave sensitive nëpërmjet SMS-ve ose linkeve të dërguara në telefon.

Në çdo rast të dyshimtë, qytetarët ftohen të raportojnë menjëherë pranë Policia e Shtetit, si dhe pranë institucionit të tyre bankar.

Poll

MOS HUMB