TIRANË-Nëntoka shqiptare është mjaft e pasur, duke nisur nga burimet ujore, krom, bakër, hekurnikel, naftë, gaz apo edhe pasuri të tjera tepër të rralla, nga ato që kërkohen nga e gjithë bota. Por kohët e fundit asgjë nuk ka shkuar mirë sa i përket zhvillimeve nga ky sektor. Kontrolle e zyrtarë të lartë të kompanive të naftës pas hekurave, greva dhe protesta nga naftëtarët e ‘Bankers Petroleum’ në Fier, tubime nga minatorët e ‘Tete Albania’ në Spaç...kjo ishte pasqyra e këtyre muajëve.
Sa i përket ‘Bankers Petroleum', u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm shtetit. Edhe pse 'Bankers' nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet. Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro.
Por nuk është kompania e vetme me humbje. Në vitin 2024 firma koncesionare 'Albchrome' ka regjistruar një humbje prej 740 mijë eurosh. Duke u nisur nga rasti i 'Bankers' lind pyetja: A është bërë edhe në këtë rast një bilanc me humbje për të mos paguar detyrimet?
Si arriti në humbje një nga kompanitë me fitimin më të madh në Shqipëri?
'Albchrome' është një nga kompanitë më të mëdha në sektorin minerar në Shqipëri, me aktivitet në Bulqizë, Mat, Klos dhe Elbasan. Ajo është renditur si një nga 5 kompanitë më të mira në botë për ofrimin e produktit të ferrokromit edhe nga Afarak Group, një grup me aktivitet në sektorin minerar dhe prodhimin e kromit, i specializuar në Evropën Jugore dhe Afrikën Jugore.
Eksportuesi i kromit nxorri 84.000 ton krom për vitin 2018 në minierën e Bulqizës dhe prodhoi rreth 70.000 ton Ferrokrom po për 2018 në dy uzinat e saj në Burrelit dhe Elbasan. Në vitin 2018 u arkëtuan në shtet një shumë prej mbi 7 milionë dollarësh taksa nga kompania.
Me investime që kapin vlerën 27.3 milionë dollarë, AlbChrome, shënoi një rekord investimesh për vitin 2019 në minierën e Bulqizës, që administrohet nga kompania.
Fitimi i kompanisë arriti në 5.4 miliardë lekë në vitin 2022, me rritje prej 76% me bazë vjetore, shkruan Monitor. Të ardhurat u rritën me 36% në 18.6 miliardë lekë, të ndikuara nga koniunktura e favorshme ndërkombëtare e çmimeve të mineralit, ndërsa norma e fitimit u përmirësua në 29%.
Por situata përmbyset në vitin 2024, ku “Albchrome”, shënoi rënie me 20% të të ardhurave, pas përgjysmimit në vitin 2023, duke zbritur në 6.5 miliardë lekë. Kompania raportoi humbje prej 78 milionë lekësh (rreth 740 mijë euro).
Sipas raportit të aktivitetit të siguruar nga Monitor, “viti 2024 ishte një vit me paqëndrueshmëri të tregut, pas një periudhe mjaft të destabilizuar të çmimeve të energjisë elektrike, si dhe nga kriza e luftës në Ukrainë që kaloi industria, ku për shkak të kërkesës së ulët, çmimet e ferro-kromit u ulën me rreth 35%, duke u krahasuar me vitin 2023. Gjatë vitit 2024 nuk u operua me kapacitet prodhues të plotë për shkak të vendimeve të bordit duke vlerësuar ndikimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe kërkesën e shitjeve të produktit final. Për pasojë është prodhuar një sasi prej 13,199 tonësh në Elbasan dhe 11,191 tonë në Burrel. Ndërkohë prodhimi i kromit arriti shifrën 89,837 tonë gjatë 2024”.
Humbjet erdhën edhe me shkarkime dhe emërime në disa poste drejtuese të Albchrome
Në shtator të vitit 2025 pati ndryshime të rëndësishme në strukturën drejtuese të kompanisë. Vendimi erdhi nga ortaku i vetëm i saj, “Albchrome Holding” Sh.p.k., të përfaqësuar nga administrator, Sabit Sagir. Në vendim përcaktohet largimi nga detyra i Mikel Demçes, i cili deri më tani ka ushtruar funksionin e administratorit lokal të shoqërisë. Në vend të tij, është caktuar Medat Zogu, i cili do të mbajë detyrën e administratorit lokal pranë Minierës së Kromit në Bulqizë për një periudhë pesëvjeçare.
“Albchrome”, ka njoftuar edhe ndryshime të tjera në drejtim. Janë larguar nga detyra edhe administratori i shoqërisë, Cemil Acar, si dhe administratori lokal, Sokol Sinani. Në vend të tyre janë emëruar tre administratorë të rinj, me mandat pesëvjeçar: Teuta Üstündağ, Zeynep Erbeyler dhe Erjon Duraj.
Humbjet dhe ndryshimet në poste...pakënaqesia tek punëtorët
Miniera e Bulqizës është përballur vazhdimisht me protesta ndër vite, të nxitura nga pakënaqësitë e punëtorëve për pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës dhe mungesën e sigurisë në galeri. Në përpjekje për të zbutur tensionin, kompania në fillim të vitit 2025 rriti pagat me 5%. Por kjo rritje, e konsideruar minimale dhe e vonuar, nuk ka kënaqur punëtorët, të cilët kishin kërkuar rritje 10% në mars.
Punonjësve në muajin korrik të këtij viti iu bllokuan edhe kartat e hyrjes në minierë. Sipas tyre, kjo me synimin për t’i ndaluar të futen në ambientet e brendshme dhe për të vijuar protestën.
Kalimi në pronësi në disa kompani
Kompania Albchrome, që zotëron pjesën më të madhe të zonës krom-mbajtëse të Bulqizës, ka kaluar si pronësi në disa kompani që nga privatizimi i saj. Në vitin 2001, kompania italiane “Darfo” fitoi të drejtën koncesionare për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për 30 vjet, përfshirë minierën e Bulqizës dhe fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferrokromit në Elbasan.
Në vitin 2007, Albanian Chrome, pjesë e grupit austriak “Deco Metal”, hyri në tregun shqiptar pasi bleu të drejtat koncesionare të kompanisë italiane “Darfo”. Këta të fundit u larguan në vitin 2013 pas një sërë protestash nga sindikatat për pagat dhe kushtet e punës. Në janar të vitit 2013, Balfin sh.p.k bleu 100% të aksioneve. Në korrik të vitit 2016, Kuvendi zgjati me 10 vjet të tjera afatin e koncesionit të Minierës së Kromit në Bulqizë për kompaninë private ACR Holding, pjesë e Balfin Group. Qeveria e Partisë Socialiste arsyetoi zgjatjen e periudhës së koncesionit deri në vitin 2040 me investimet shtesë që do të kryente koncesionari në Bulqizë.
Shoqëria Yildirim International Mining Investments B.V., pjesë e grupit turk Yildirim, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Hollandë. Grupi Yildirim operon në një numër të madh industrish si metalurgji dhe miniera, energjetikë, prodhimin e plehrave kimike, fertilizuesve dhe kimikateve, menaxhimin e porteve, ndërtim, transport, logjistikë, etj. Grupi në fjalë është një biznes në pronësi të familjes turke Yildirim. Sipas informacionit zyrtar në faqen e grupit, thuhet se zhvillon biznes në 51 shtete të botës dhe ka rreth 13 mijë të punësuar. Grupi Balfin e shiti koncesionin e Albchrome në janar të vitit 2022 te Yildirim International Mining Investments B.V.
Koncesioni i minierës së kromit në Bulqizë ka filluar më 1 qershor 2000, me një marrëveshje koncesionare për një periudhë 30-vjeçare. Në vitin 2016, ky koncesion është zgjatur deri më 31 dhjetor 2040 me miratim të Kuvendit./ZËRI