
TIRANË-I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka vijuar të rrëfejë krimet deri tek konfliktet me Talo Çelën. Dumani ka treguar momentin se kur vendosi të hakmerrej ndaj Talo Çelës. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, gjithçka filloi pasi Altin Ndoci tentoi të vriste vëllain e tij, por ju bllokua arma.
Avokati Hasa: Në cilin moment vendosët të hakmerreshit drejt vrasësve të vëllait të Alibeaj?
I penduari Dumani: Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci deshi të vrasë vëllanë tim, por ju bllokua arma.
Avokati Hasa: Kur u bë kjo bisedë?
I penduari Dumani: Pasi qëndruam 2-3 orë. Që herën e parë.
Avokati Hasa: Keni thënë që hartuat një listë?
I penduari Dumani: Unë shkova të takoja Alibejn për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin, nuk doja t’i vrisja këta me dorën time. Doja t’i vriste Erjoni me njerëzit e tij. Pas takimit me Erjonin ndryshoi gjithçka dhe vendosëm të dy që të eliminonim kundërshtarët. Unë kisha parë lëvizjet e Dorian Shkozës. E shikoja që më vinte pas me makina të ndryshme. Franc e Hajdar Çopja nuk ishin aty. Kel Kamami nuk ishte aty.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI