Aktualitet

KLP: Sulmet verbale cenojnë procesin hetimor e gjyqësor

Në reagimin zyrtar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shprehur shqetësimin për gjuhën e përdorur ndaj prokurorëve të SPAK.

k.m.
KLP: Sulmet verbale cenojnë procesin hetimor e gjyqësor
Këshilli i Lartë i Prokurorisë

TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar për akuzat dhe fyerjet që kryebashkiaku Erion Veliaj ka cituar në reagimet e tij në rrjetet sociale për prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes së tij. Në reagimin zyrtar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shprehur shqetësimin për gjuhën e përdorur ndaj prokurorëve të SPAK. Por duke veçuar hetuesin e çështjes së kryebashkiakut, prokurorin Ols Dado. Sipas KLP, etiketimet fyese dhe presioni dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësi. Ndaj edhe kërkon që çdo pretendim apo ankesë të bëhet në përputhje me ligjin.

"Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës. KLP bën thirrje që çdo pretendim, akuzë apo ankesë ndaj një prokurori, të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional. Çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike apo debatit politik minon parimet e demokracisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë qëndron në mbështetje të prokurorit Olsi Dado dhe të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, që ata të ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si e vetmja garanci që drejtësia të funksionojë mbi bazën e fakteve, provave dhe procesit të drejtë ligjor,"-shkruhet ndër të tjera në deklaratën e KLP-së.

DEKLARATË PËR MEDIA E KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shpreh shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado. Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës. KLP bën thirrje që çdo pretendim, akuzë apo ankesë ndaj një prokurori, të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional. KLP rithekson rëndësinë e respektimit të standardeve etike të raportimit nga mediat, duke siguruar paanshmërinë në informimin e opinionit publik, për të shmangur çdo formë dezinformimi që mund të ndikojë në integritetin e proceseve gjyqësore. Në respekt të një sistemi të pavarur gjyqësor, bëjmë thirrje për të treguar durim dhe maturi. Çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike apo debatit politik minon parimet e demokracisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë qëndron në mbështetje të prokurorit Olsi Dado dhe të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, që ata të ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si e vetmja garanci që drejtësia të funksionojë mbi bazën e fakteve, provave dhe procesit të drejtë ligjor.

Reagimi i KLP është i dyti për çështjen e Veliajt. Herën e parë si KLP, edhe KLGJ reaguan ndaj kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar që të mos cënonte pavarësinë e drejtësisë. Tashmë, duket se thirrja e dytë është për kryebashkiakun Veliaj, i cili nuk i ka kursyer epitetet në reagimet e tij. Dje, publikoi një pjesë të procesverbalit të seancës në GJKKO, duke pretenduar se prokurori Dado e kishte ofenduar "ndyrsirë". Por, SPAK dhe GJKKO i mohuan pretendimet e Veliaj, duke nxjerrë edhe ato një proces verbal, ku fjala "ndyrsirë" nuk ishte e zbardhur.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB