Aktualitet

I akuzuar për 4 vrasje dhe i pandehur për dosjen "Plumbi i Artë", Altin Ndoci arratiset nga burgu i Durrësit

Mësohet se i burgosuri Altin Ndoci është arratisur nga shërbimet e Burgut të Durrësit, teksa ndodhej i shtruar në pavijonin e infektivit në spitalin e Durrësit për probleme shëndetësore.

zh.ll
I akuzuar për 4 vrasje dhe i pandehur për dosjen "Plumbi  i
Altin Ndoci

DURRËS- Një arratisje nga burgu raportohet se ka ndodhur mesditën e sotme në Durrës. Mësohet se i burgosuri Altin Ndoci është arratisur nga shërbimet e Burgut të Durrësit, teksa ndodhej i shtruar në pavijonin e infektivit në spitalin e Durrësit për probleme shëndetësore. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur menjëherë kërkimet për kapjen e tij, ndërsa menjëherë pas lajmit të arratisjes ka reaguar Drejtoria e Burgjeve. Në reagim, theksohet se ndërhyrja nga forcat e policisë ka qenë e menjëhershme, por pa arritur të ndalojë arratisjen e tij.

"I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Drejtoria e Burgjeve.

Kush është Altin Ndoci

Altin Ndoci është një emër i njohur në botën e krimit dhe hetohet nga SPAK me disa akuza, për vrasje, grup kriminal.

Ai është njëri prej të burgosurve të dosjes 'Plumbi i Artë'. Ndoci, akuzohet nga SPAK dhe Nuredin Dumani si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Gjithashtu Ndoci, akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit).

Ndoci u arrestua në vitin 2020 i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia më 27 prill në Durrës, dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, më 2 mars, po në Durrës.

Në prill 2024, gjykata e shpalli të pafajshëm për këto akuza të rënda, duke i hedhur poshtë pretendimet se ai kishte marrë pjesë në krime, sepse dëshmia e përdorur nga prokuroria u konsiderua e pasaktë. Megjithatë, ai nuk u lirua nga burgu, pasi kundër tij ka akuza të tjera aktive nga SPAK për vepra të tjera penale që nuk lidhen me dëshminë që u hedh poshtë, përfshirë akuza për pjesëmarrje në një grup kriminal dhe vepra të lidhura me armëmbajtje dhe incidente të tjera të dhunshme. /ZËRI

Poll

MOS HUMB