TIRANË- Projekti "Durana Tech Park" ka rikthyer sërish në vëmendje personazhet kryesore të dosjes së AKSHI-t, të cilët kanë lidhje direkte me kompani specifike për të cilat tashmë SPAK ka nisur hetimet, pasi janë gjetur lidhje mes korrupsionit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe kësaj platforme.
Sipas hetimeve, këto kompani përfitonin njëkohësisht fonde publike dhe sipas dyshimeve, shmangnin detyrimet fiskale nëpërmjet "Durana"-s. Pra, përfitimi nuk kufizohej te tenderët, por deri te shmangia e taksave për qindra miliona euro që vijonin të merrnin nga buxheti i shtetit. Bëhet fjalë për rreth 50 kompani të lidhura me AKSHI-n, që kanë përfituar status fiskal të favorshëm.
Por, cila ishte skema? Skyweb raporton se krijimi i kompanive të reja me emra të ndryshëm, por me të njëjtët pronarë dhe administratorë (emra të përfshirë në dosjen e AKSHI-t), do të mundësonte kalimin formal t aktivitetit drejt "Durana Tech Park". Skema lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet fiskale që hynë në fuqi nga viti 2026. Pas presionit ndërkombëtar, qeveria u detyrua të hiqte privilegjin e tatim-fitimit 5 për qind për kompanitë e teknologjisë së informacionit, duke rikthyer normën standarde.
Si mund të realizohej devijimi i taksave? Këtu hyn në punë mekanizmi i parqeve teknologjike, i parashikuar në ligjin e vitit 2022. Sipas këtij mekanizmi, parashikohet përjshtimi total nga tatim-fitimi, TVSH-ja dhe taksat mbi pagat për një periudhë 10–15 vjeçare. Këtu hyjnë sërish në skenë kompanitë e reja, përmes së cilave, shmangin pengesën kryesore, pasi ligji ndalon transferimin e një veprimtarie ekzistuese në park vetëm për përfitim fiskal. Ndëkrohë, theksojmë se kemi me subjekte të reja, por me të njëjtën persona (pronarë, administratorë). Madje, disa prej tyre tashmë janë bërë publikëe, të cilët drejtojnë ose përfaqësojnë subjektet në qendër të hetimeve për tenderat e AKSHI-t.
Po cilat janë kompanitë dhe kush janë biznesmenët përfitues të aferë Durana?
Mes tyre janë dy biznesmenët dosjes së AKSHI-t, Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, në kërkim nga SPAK pastrim parash, shkelje e barazisë në tendera e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit kriminal dhe heqje e paligjshme e lirisë. Në listën e subjekteve të regjistruara në Durana Tech Park rezulton se një pjesë e tyre lidhet pikërisht me këtë emra dhe rrethin e tyre të afër. Në disa raste lidhjet janë të dokumentuara përmes personave që shfaqen si pronarë ose administratorë në kompani të reja, por që paralelisht mbajnë role kyçe në subjekte të përfshira në dosjen AKSHI.
-KronoTech, e regjistruar në Durana Tech Park, e cila në dokumente rezulton me pronare Arjola Koromanin. Kjo e fundit, rezulton administratore e kompanisë Soft & Solution, subjekt i cili ndodhet në qendër të hetimeve për tenderët e AKSHI-t.
- Test & Tech figuron me pronar Ergys Agasin dhe me administratore Ina Cikon. Kjo e fundit, rezulton njëkohësisht administratore edhe e kompanisë EA Solution, në pronësi të Agasit, e përfshirë gjithashtu në dosjen e AKSHI-t. Por, ermi i Cikos nuk ndodhet rastësisht aty, ajo ka lidhje familjare me Elon Cikon, pjesë e rrethit të afërt të Ergys Agasit dhe administrator i kompanisë EA Logistic.
-CyberMind dhe Box Artificial Logic, dy kompani të regjistruara nga Gëzim Hoxha, ndaj të cilit SPAK ka vendosur masë sigurie në kuadër të hetimeve për skandalin AKSHI dhe që dyshohet si pjesë e skemës së tenderëve.
- Data Storm në Durana Tech Park është regjistruar nga vetë Ermal Beqiri.
Të gjitha këto subjekte janë regjistruar gjatë muajve të fundit të vitit 2025, në një periudhë kur grupi i përfshirë po përgatitej të kalonte aktivitetin drejt Durana Tech Park, me të njëjtët aktorë, por përmes kompanive të reja, për shkak se ligji ndalon transferimin formal të një veprimtarie ekzistuese.
'Durana Tech Park' është një park teknologjik dhe shkencor, i krijuar në bazë të ligjit për parqet teknologjike, i administruar nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe i shpallur zonë e lirë për zhvillimin e teknologjisë së informacionit. Statusi i parkut u garanton subjekteve të regjistruara përjashtime dhe lehtësira të gjera fiskale, përfshirë ulje ose përjashtim nga tatim-fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale dhe TVSH-ja, sipas parashikimeve ligjore.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./SKYWEB