Aktualitet

Andi Bejta sqaron votën pro të bashkëshortes për rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut

Ai thekson se Sonila ka mbajtur qëndrim tërësisht të pavarur dhe koherent

l.k
Andi Bejta sqaron votën pro të bashkëshortes për rikthimin
Sonila Bejta, Belinda Balluku

TIRANË- Gazetari Andi Bejta ka sqaruar vendimin e bashkëshortes së tij, gjyqtares pranë Gjykatës Kushtetuese Sonila Bejta, për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai thekson se Sonila ka mbajtur qëndrim tërësisht të pavarur dhe koherent, duke mbështetur idenë që rasti të shqyrtohet në themel, duke iu referuar të drejtës kushtetuese të 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

Bejta në një përgjigje për mikun e tij, Ermal Mulosmani, u shpreh se si në rastin e kryedemokratit Sali Berisha, bashkëshortja e tij ka ruajtur qëndrimin e saj të njëjtë, duke qëndruar e vetmja e koherentë midis kolegëve.

“Në atë vendim, gjyqtarja e vetme në pakicë ishte Sonila Bejtja, e cila mbajti qëndrim tërësisht të kundërt me kolegët e saj, duke mbështetur idenë se rasti i Berishës duhej të kalonte për shqyrtim në themel. Gjyqtarja Bejtja ka argumentuar se Kushtetuta i ka njohur të drejtën 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e drejtë nuk mund t'i mohohet ligjvënësve”, është shprehur gazetari.

Gjykata Kushtetuese riktheu dje në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB