
DURRËS- Pasi bënë xhiron e botës, mbetjet toksike më në fund janë ankoruar në portin e Durrësit! Në orën 7.00 të mëngjesit të sotëm, në portin e Durrësit është ankoruar anija turke “Moliva”, në bordin e të cilës mendohet se janë 2100 ton mbetje të dyshuara toksike të ndara në mbi 100 konteinerë.

Autoriteti Portual bëri me dije se për shkarkimin e anijes ishte rezervuar kalata numër 7, ndërsa procesi i shkarkimit zgjati rreth 3 orë.
Pasi u shkarkuan, konteinerët u transportuan me masa të rrepta sigurie, të shoqëruar dhe më pas të monitoruar nga Policia e Shtetit drejt zonës së Porto Romanos, pranë Parkut Ekologjik. Atje u vendosën në një vend ku do të mbahen të monitoruara 24 orë me kamera sigurie.
Përveç kamerave të sigurisë, edhe Policia e Shtetit do të mbajë nën monitorim mbetjet deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria e Durrësit. I gjithë, territori do të menaxhohet nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara.
PAMJE NGA SHKARKIMI I KAMIONËVE:
Çdo procedurë regjistrohet në proces-verbal, konteinerët vetëm do të magazinohen, pra nuk do të hapen dhe nuk do të kryhet asnjë veprim tjetër deri në përfundim të hetimeve. Në fund, do kryhen paralelisht hetime dhe analiza, kjo për të verifikuar dhe rrezikshmërinë që këto mbetje mbartin për qytetarët dhe mjedisin. Teksa në Durrës kryhej shkarkimi dhe transportimi i kontejnerëve të sekuestruar nga prokuroria, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në mbledhjen e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese tha se mostrat e analizave do të shkojnë në Belgjikë dhe Zvicër, por edhe në 3 laboratore të tjera që do të vërtetojnë nëse kemi të bëjmë me mbetje.
DISKUTIMET NË KOMISION:
Kumbaro: Nuk ka folur njeri për mbetje toksike, dhe nuk është në asnjë nga letrat apo dokumentacionin që ka qarkulluar. Çështja në fjalë po hetohet nga Prokuroria kemi vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin. Është identifikuar vendi ku do të vendosen kontejnerët ku do të vendosen mbetjet e dyshuara të rrezikshme, të deklaruara nga subjektet si mall, nën-produkte metali. Prokuroria do të hetojë, Ministria e Brendshme ka caktuar vendin ku depozitohen, po mbikëqyren dhe do të presim, hetimet.
Baçi: Po e thua me një fjalë tjetër, jo toksike por të dyshuara të rrezikshme, këtu mbyllet logjika.
Kumbaro: E kuptoj hallin e opozitës, që nuk dini me ca të bëni politikë se ju ka mbetur në maj ballkonit. Referojuni ligjit për mbetjet e rrezikshme. Është mjerane të kapim njëri tjetrin, është e pavërtet që unë i jam shmangur mediave, nëse e keni të vërtetin shkoni në prokurori. Unë i referohem ligjit dhe flas me përgjegjësi.
Drejtor në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Athanas Karaja: Deri sot që flasim ka dyshime që janë mbetje, por nga ne nuk është dhënë leje për mbetje. Ato kanë kaluar si mallra. asnjë nuk e ka të etiketuar mbetje, pasi ajo ka ikur si mall. L aboratorët me urdhër të Prokurorisë, do shkojnë analizat në Belgjikë dhe Zvicër dhe në 3 laborator të tjerë dhe më pas do shohim nëse janë apo jo mbetje.
Por si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale?
Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t'u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës. Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri. Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.
Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si "oksid hekuri" një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme. Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt. Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se "informacioni mund t'u jepet vetëm klientëve". Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.
Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.
BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve. Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28. Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë. Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës "Kurum" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët./ZËRI