TIRANË-Policia ka ndryshuar pistën e hetimit lidhur me ngjarjen e ndodhur mbëmjen e 20 tetorit në Tiranë, ku në zonën e Komunës së Parisit, u gjet i pajetë 46-vjeçari, Ismet Habili. Në një njoftim të dytë, Policia raporton se Ismet Habili dyshohet të jetë vetëvrarë brenda automjetit të tij, dhe jo të jetë ekzekutuar siç u dyshua më parë. Gjatë kontrollit në automjetin e tij tip “Volvo”, policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë.
Paraprakisht blutë u njoftuan për një aksident në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”, ku 46-vjeçari u gjet i pajetë i qëlluar me armë zjarri. Dyshimet e para ishin se Habili teksa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip ‘Volvo’ e zezë, mund të ishte qëlluar me armë zjarri. Megjithatë, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Informacion shtesë
Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Mihal Popi”, ku u gjet pa shenja jete, brenda automjetit, shtetasi I. H., ju bëjmë me dije se:
Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë.
Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale të kryera, dyshohet se shtetasi I. H., 46 vjeç, mund të jetë vetëvrarë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit.

