Aktualitet

“Arresti me burg”, jo më masë e parë! Zbardhet VENDIMI: Prokuroria të ketë barrën e provës për të justifikuar paraburgimin

Sipas vendimit, gjykata ka detyrimin të japë arsyetim konkret se përse masat alternative janë të papërshtatshme për t’u aplikuar në një rast të caktuar, përpara se të vendosë “arrestin në burg”

F.I
“Arresti me burg”, jo më masë e parë! Zbardhet
Kolegjet e Bashkuara

TIRANË-Gjykata e Lartë e Shqipërisë, ka zbardhur pas rreth dy muajsh vendimin e shpallur për unifikimin e praktikës mbi masat e sigurisë, duke sjellë ndryshime të pjesshme në mënyrën e aplikimit të “arrestit në burg”. Kolegjet e Bashkuara përcaktuan më 4 maj tri rregulla kryesore, ku kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi nënvizoi se Gjykata ka detyrimin të arsyetojë se përse masat alternative janë të papërshtatshme për tu caktuar.

Sipas vendimit, gjykata ka detyrimin të japë arsyetim konkret se përse masat alternative janë të papërshtatshme për t’u aplikuar në një rast të caktuar, përpara se të vendosë “arrestin në burg”. Në lidhje me rrezikshmërinë, Kolegjet theksojnë se gjykatat duhet të bëjnë një analizë të plotë të personalitetit të personit, rrethanave dhe sjelljes së tij. Sipas vendimit masa “arrest në burg” mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme.

“Masa e sigurimit personal e “arrestit në burg”, konsiderohet, sipas përcaktimit të paragrafit të parë, të nenit 230 të KPP, si masa e fundit/extrema/ultima ratio, e cila mund të vendoset vetëm kur, çdo lloj mase tjetër rezulton e papërshtatshme për të garantuar nevojat e sigurimit të procedimit penal. Këto nevoja sigurimi identifikohen në përcaktimet e pikës së tretë (të paktën njërit prej tyre) të nenit 228 të KPP, të cilat nuk mund të garantohen/plotësohen nga asnjë lloj mase tjetër e ndryshme nga kjo masë kufizuese e lirisë, “arresti në burg””, thuhet në vendim.

Në vendim gjithashtu përcaktohet se nuk mjafton të thuhet se arresti në burg është i përshtatshëm por Gjykata duhet të shpjegojë pse masat e tjera, si arresti në shtëpi, detyrimi për paraqitje ose garancia pasurore, nuk janë të mjaftueshme.

“Gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat e tjera më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i shprehur, i individualizuar dhe i mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, duke pasqyruar qartë rrezikun konkret, sipas nenit 228, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe domosdoshmërinë, përshtatshmërinë dhe proporcionalitetin e kufizimit të lirisë, në përputhje me standardet kushtetuese dhe konventore.”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Sipas vendimit të 2011, barrën e provës se përse nuk duhet dhënë masa e arrestit me burg, e kishte i akuzuari. 

“Barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit “arrest në burg” i takon prokurorisë, ndërsa gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë atë në çdo fazë të procedimit. Prokuroria ka detyrimin të paraqesë dhe të argumentojë në mënyrë konkrete faktet dhe rrethanat që mbështesin nevojën e kësaj mase, përfshirë rrezikun konkret dhe papërshtatshmërinë e masave më pak kufizuese”.

Vendimi erdhi pas shqyrtimit të rastit të shtetasit Begtash Zeneli, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 7 kilogramë e 350 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. 

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB