Aktualitet

Arrestimi i Ramazan Rrajës, zyrtari i policisë: E kapëm me armë në brez! Dervishaj: Kush jua dha informacionin?

Ramazan Rraja po hetohet si person i dyshuar i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj të ndodhur në vitin 2019 në mbikalimin e Shkozetit

E.K
Arrestimi i Ramazan Rrajës, zyrtari i policisë: E kapëm me
arjan ndoja dhe ramazan rraja

TIRANË- Vijon procesi gjyqësor ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ndërsa në mesin e dëshmitarëve është edhe zyrtari i policisë Bujar Deliallisi. Ky i fundit mban tashmë postin e zëvendësdrejtorit të Policisë në Durrës. Deliallisi ka dhënë detaje në lidhje me operacionin që çoi në kapjen e të shumëkërkuarit Ramazan Rraja, si një nga personat e dyshuar për atentatin.

Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Deliallisi deklaroi: “Në vitin 2019 kam qenë i punësuar në Policinë e Gjirokastrës, më pas në vitin 2023 kam qenë në Korçë deri në muajin mars. Prej marsit të këtij viti mbaj detyrën e zv.drejtorit të Policisë në Durrës.” 

Ai shtoi se ka marrë pjesë në aksionin për arrestimin e Ramazan Rrajës. 

“Ka pasur plan operacioni për ndërhyrjen. Aksioni është zhvilluar në zonën e Fushë-Krujës, pranë Urës së Gjolës,” tha Deliallisi. 

I pyetur për zhvillimet gjatë aksionit, dëshmitari sqaroi: “Gjatë ndërhyrjes u konstatuan dy persona. Njëri prej tyre ishte Ramazan Rraja. Tek të dy u gjetën armë zjarri në brez, konkretisht pistoleta.” 

Në këtë moment të seancës ndërhyri edhe i pandehuri Plarent Dervishaj, i cili kërkoi të dijë se nga kishte ardhur informacioni që çoi në identifikimin dhe kapjen e Rrajës, por dëshmitari nuk dha detaje lidhur me burimin. 

Dervishaj dhe Meçe gjykohen mëvetësisht nga të tjerët, pasi për fashikullin e parë me të pandehur për atentatin është mbyllur procesi. Për shkak të ekstradimit nga Dubai, gjyqi ndaj tyre u nda më vete. Në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Ndoj, është dënuar me burgim të përjetshëm Redian Rrahja, si dhe me 30 vite burg shtetasi Ariol Halilaj. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB