
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka deklaruar se është vënë dijeni për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, përpara se të ekzekutohej urdhëri. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, Paloka tha se këtë informacion e ka përcjellë edhe në grupin e Partisë Demokratike, por asnjë prej tyre s’e ka besuar.
Pjesë nga biseda në studio:
Edi Paloka: Për pak minuta më ka ardhur dhe lajmi se mund të arrestohej Veliaj dhe ende nuk ishte ekzekutuar dhe e kam shkruar dhe këtë në grupin e deputetëve. Aty janë mesazhet e shkruara. Madje ata nuk e besuan dhe u tallën, më thonin, ti po thua që e arrestojnë, por ai është në media live. Por unë u thashë që ai ka qenë në media live, dhe kur ndodhej në Meksikë, mos u habisni me këtë u thashë, dhe në fakt doli që u arrestua.
Nisida Tufa: Ju funksionojnë ende burimet si gazetar apo jo?
Edi Paloka: Vazhdoj t’i ruaj ca burime.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është lënë në burg, ndërkohë që masa e sigurisë për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u ndryshua nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitjeje”.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI