Aktualitet

Arrestohet ish-ortaku i Behgjet Pacollit, Valon Lluka

Biznesmeni dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”,  “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dhe  “Lidhja e kontratës së dëmshme.

F.I
Arrestohet ish-ortaku i Behgjet Pacollit, Valon Lluka
Behgjet Pacolli dhe Valon LLuka

KOSOVË-Biznesmeni Valon Lluka është arrestuar sot nga Policia e Kosovës. Lajmi për arrestimin e biznesmenit është raportuar nga Klan Kosova. Lidhur me arrestimin e Llukës, Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes zëdhënëses Kaltrina Shala ka dalë me një deklaratë, ku njofton se biznesmeni dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”,  “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dhe  “Lidhja e kontratës së dëmshme.

"Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, si dhe veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të pandehurit", - deklaroi Shala.

Nuk dihet akoma nëse ndalimi i Llukës është bërë për llogari të akuzave që ka bërë Behgjet Pacolli ndaj tij apo per një çështje tjetër. Lluka ka qenë administrator i Vlora International Airport – VIA Sh.p.k, deri në shkarkimin e tij nga Behgjet Pacolli më 3 shtator të vitit 2025.

Pacolli e akuzoi Llukën për falsifikim dokumentesh, ku sipas tij biznesmeni kishte ka tentuar të realizonte transferimin e 47% të aksioneve, duke e mbajtur atë të fshehur./ZËRI

Poll

MOS HUMB