TROPOJË- Policia ka arrestuar Gazment Buçpapaj, autorin e vrasjes së Egli Pashollarit në Tropojë. Buçpapaj në prezencë të bashkëshortes së tij, vrau me thikë 31-vjeçarin te zona Ish-Parku, Tiranë, pasditen e 20 shkurtit. Të dy, burrë e grua, braktisën makinën e tyre jo shumë larg vendit të ngjarjes ku pas një sherri mbeti i vrarë me thikë Egli Pashollari, dhe u larguan me shpejtësi.
"Si rezultat i ndjekjes intensive dhe punës së miroganizuar operacionale, lokalizohet dhe ndalohet autori i vrasjes me thikë, të shtetasit E. P. Autori, shtetasi G. B. u mbajt në mbikëqyrje, teksa fshihej në një banesë në Tropojë. Si rezultat i veprimeve operacionale profesionale, të kryera në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, për lokalizimin dhe ndalimin e autorit të vrasjes së shtetasit E. P., kryer më datë 20.02.2026, gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Distanca”. Në kuadër të këtij operacioni, pasi u lokalizua dhe u mbajt në mbikëqyrje në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë, u bë ndalimi i shtetasit G. B., 40 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta". Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton Policia.
Bashkëshortja e autorit, në dëshminë e saj, deklaroi se konflikti nisi prej bllokimit të rrugës me makinë, dhe i shoqi i ra borisë. Kaq mjaftoi që sipas saj, viktima t’i shante nga familja, dhe të niste sherri që përfundoi me vrasje.
I riu Egli Pashollari, një nga njerëzit e afërt të Emiljano Shullazit, u qëllua me thikë pas shpine dhe fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës për në spital. Pashollari u sulmua nga tre persona, dy djem dhe një vajzë me origjinë nga Tropoja, menjëherë pasi kishte dalë nga automjeti i tij. Personi që dyshohet se e goditi me thikë në kurriz është Gazment Buçpapaj, i cili është shpallur në kërkim. Ai ishte prezent bashkë me gruan dhe një person tjetër, kur ndodhi ngjarja. Pasi qëlluan të riun, Buçpapaj dhe 2 personat e tjerë u larguan me makinë nga vendngjarja. Më pas për të mos rënë në prangat e policisë Buçpapaj ndërroi makinën dhe hipi në një taksi, duke u arratisur./ZËRI

