
LIBRAZHD- Banorët e Hotolishtit në Librazhd protestuan sërish sot kundër shembjes së banesave të tyre! Edhe sot, qytetarët kanë kërkuar anulimin e projektit të rrugës "Elbasan-Qafë Thanë"që kalon përmes fshatit të tyre dhe që në plan ka shembjen e banesave të një lagje brenda Hotolishtit. Protestuesit kundërshtojnë planin aktual, duke kërkuar që në vend të shembjes së banesave të kryhet një tunel alternativ. Ata gjithashtu kërkojnë shpronësime të drejta, sipas vlerës së tregut.
Njëri prej tyre ka rrëfyer se edhe pse në zonë kishin shkuar disa përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, sërish kishin mbetur pa asnjë përgjigje. Për të, fundi është i qartë, duke parashikuar se edhe nbë fshatin e tyre, banesat do të shemben njëjtë si në zonën e "5 majit" edhe në Astir.
“Si mund të jepet një projekt për rrugën dhe të mos shihet projekti? Kur ka mundësi edhe një rrugë shmanget, jo më një fshat i tërë. Sot kishin ardhur ata nga ARRSH. I kishin marrë këta të komunës dhe na pyesnin pa pikë turpi: Çfarë shqetësimi ka? Po si nuk ka shqetësim, po na shembni shtëpitë u thashë... Na thanë për 1 muaj do iu japim sqarime. I thërrasin një nga një njerëzit. Lagja jonë që duhet të ishim të gjithë si përfaqësi, e zgjedhim ne kush do shkojë atje. Jo të kërkojnë ata. Duan të kalojë 11 maji dhe pastaj... E kemi parë tek "5 maji" dhe në Astir. Edhe këtu e njëjta gjë do të ndodhë. Protestat do vazhdojnë pa ndërprerje, do e vendosim si komitet të gjithë. Nuk mund ta imagjinoj këtë papërgjegjshmëri të madhe. Kanë marrë votat. Të paktën të sjellin një letër të sqaronte. Ne nuk kemi as çfarë të humbin më. Atë shtëpi kam unë. Ik e futu tunel atje sipër. Thonë edhe të më të bukurën, e bëjmë me tunel ne, por po u shemb do mbani përgjegjësi ju. Por pse re përgjigje është kjo? Po vrite mendjen gjeje një zgjidhje. Me çfarëdo shpërblimi do të më japin, ku do përplasem unë 60 vjeç? Ndaj ju ka votuar një komb i tërë, që të japin zgjidhje. Po kush po pyet për tokat më, po shtëpinë? Nuk e di...Veç plumbi e ndan këtë punë. Edhe serbi që ka ardhuur këtu nuk e ka bërë këtë punë, ka vra njerëz në rrugë, po shtëpitë i ka lënë,”- tha një prej protestuesve.
Ndërsa një tjetër protestues tha për Syri TV se në protestat e kaluara, Policia i kishte shoqëruar vajzën e tij 15-vjeçare, duke i akuzuar uniformat blu edhe për dhunë.
"Në protestën e parë më morën gocën. Goca është 15 vjeç, në komisariat për çfarë arsye? Hëngri dy shkelma nga policë që janë sot këtu dhe i shoh. Shteti le të vijë dorë mbi ne, e? Po dhe ne shqiptarë jemi. Janë 30-40 biznese që do prishen. Ne nuk jemi kundër rrugës, ka mënyra të tjera. Por jo në këtë mënyrë – këta vijnë godasin fëmijët me shkelma, i çojnë në komisariat sikur kanë bërë krime. Kjo është jashtë çdo logjike njerëzore,"-tha banori i zonës.
Ndërkohë që po ashtu, edhe sot, sanorët e Hotolishtit janë përplasur me Policinë dhe efektivët në terren, të cilët u përpoqën që t'i ndalonin që të mos bllokonin aksin nacional. Tensionet dhe përplasjet kanë qenë të shpeshta, por banorët në disa momente janë ulur këmbëkryq duke kërkuar që të përçojnë mesazhin e tyre.
Edhe pse kjo është hera e dytë që banorët e zonës kanë dalë në protestë dhe paralajmërojnë tubime të tjera, sërish për ta nuk ka asnjë reagim nga instancat shtetërore./ZËRI