TIRANË- Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga vatra zjarri, të cilat kanë djegur qindra hektarë sipërfaqe dhe kanë rrezikuar fshatra në disa zona. Gjendja më alarmante paraqitet në jug të vendit, veçanërisht në Mallakastër.
Lidhur me situatën që po përjeton vendi ynë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë pamje nga operacioni për shuarjen e flakëve në Mallakastër. Rama njofton se avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin në terren, ndërsa shprehet se këtë herë qeveria është më e përgatitur për të përballuar situatat me zjarret.
“Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e më të përgatitur se asnjëherë më parë, por edhe plotësisht të vetëdijshëm për rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës aktualisht. Respekt dhe mirënjohje për të gjitha forcat tona në terren”, shkruan Rama.
Avioni Air Tractor AT-802 mbërriti në Shqipëri në kuadër të kontratës së qeverisë shqiptare për blerjen e tre mjeteve ajrore të këtij tipi për Forcën Ajrore Shqiptare. Më 27 korrik, kreu i qeverisë, gjatë një takimi me zjarrfikësit dhe strukturat e angazhuara në përballimin e flakëve, deklaroi se vendi ynë brenda këtij viti do të pajiset me tre avionë zjarrfikës./ZËRI