Bota

Banesa përfshihet nga zjarri në Prizren, humb jetën foshnja, dëshmitarët: Shpëtuam 3 fëmijë

Shabani tha se brenda shtëpisë ndodheshin katër fëmijë, por vetëm 3 arritën të shpëtonin.

F.I
Banesa përfshihet nga zjarri në Prizren, humb jetën foshnja,
PAMJE NGA VENDNGJARJA

PRIZREN-Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Prizren në prag të Vitit të Ri. Një fëmijë 1-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e tymit në një shtëpi që është përfshirë nga zjarri në qendër të Prizrenit, ndërsa tre fëmijët e tjerë kanë shpëtuar dhe po marrin trajtim mjekësor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi deklaroi se ndonëse shkaqet e këtij zjarri ende nuk dihen, dyshimet janë se zjarri u shkaktua nga energjia elektrike apo ndonjë pajisje. Bytyqi tha se hetimet në këtë drejtim po vazhdojnë.

“Sot rreth orës 10:00 është raportuar për zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit.si pasojë e zjarrit një fëmijë rreth 1 vjeçar ka humbur jetën dyshohet kjo ka ardhur si pasojë e tymit deri tek vdekja. Tre fëmijët tjerë kanë shpëtuar dhe janë larguar nga shtëpia kurse të njëjtin janë dërguar për trajtim mjekësor në emergjencë….njësitet emergjente që kanë dal në vendin e ngjarje zjarrfikësit, policia dhe emergjenca, posa kanë marrë informacionin menjëherë janë nisur për në vendin e ngjarjes dhe zjarri është lokalizuar plotësisht dhe ekipet kanë vazhduar të qëndrojnë edhe më tej më qëllim që të mos përhapet zjarri përsëri. Policia së bashkë me hetues dhe në bashkëpunim me prokurorinë dhe ekspert të zjarrin janë duke punuar për të mbledhur prova dhe dëshmi me qëllim që të arrihet tek përfundimi se si ka arritur deri tek zjarri.. nuk dihet saktësisht, ka dyshime të ketë ardhur nga rryma apo pajisjet elektrike” tha ai.

Sabri Shabani, dëshmitarë në këtë rast, ka deklaruar për mediat se dëgjoi zërat dhe vrapoi të shohë dhe pa që shtëpinë e përfshirë nga zjarri. Shabani tha se brenda shtëpisë ndodheshin katër fëmijë, por vetëm 3 arritën të shpëtonin.

"Ne ishim lokalin e kemi këtu hapur, i dëgjuam disa zëra që po ndodh diçka, edhe vrapuam të shohim se çfarë po ndodh. Kur e pamë, e kishte kapluar flaka këtë shtëpinë. Për fat të keq, katër fëmijë ishin brenda, tre mundën t’i shpëtonin këta komshinjtë afër që ishin, kurse të katërtin s’patëm mundësi të hyjmë brenda për shkak se pajisje nuk kemi. Shtëpinë e kishte kapluar flaka gjithsej”, tha ai.

Forcat zjarrfikse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa policia po heton më shumë mbi shkaqet e rënies së zjarrit./ZËRI

Poll

MOS HUMB