FUSHË ARRËZ- Në vazhdën e protestave kundër reformës së re territoriale, banorët e njësisë administrative Fierzë në bashkinë Fushë-Arrëz kanë kundërshtuar propozimin për bashkimin me Pukën.
Kryepleqtë e nëntë fshatrave u mblodhën pranë Kishës së Fierzës, në vendin tradicional të kuvendeve, ku i kërkuan qeverisë të rishikojë draftin e propozuar nga Partia Socialiste. Si pjesë e traditës, në kuvendin tradicional marrin pjesë përfaqësues dhe banorë të zonës për të diskutuar për problematika të caktuara, ashtu si edhe në këtë rast.
Sipas banorëve, bashkimi me Pukën do të sjellë largimin e mëtejshëm të shërbimeve publike dhe do ta vështirësojë aksesin e tyre në institucionet vendore. Ata shprehen se zonat ëshë lënë harresë prej 30 vitesh, pavarësisht se aty prodhohet një pjesë e rëndësishme e energjisë elektrike për vendin.
Në shenjë kundërshtimi ndaj draftit, kryepleqtë e fshatrave të Fierzës paralajmëruan se do të marrin pjesë në protestën e thirrur nga Bashkia Fushë-Arrëz, e cila do të zhvillohet të premten në orën 17:00./ZËRI
