TIRANË- Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri në të gjithë vendin, ku pesë prej tyre vijojnë të mbeten aktive. Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin, ku bën me dije se forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e flakëve në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun e Elbasanit. Ndërkohë në Mallakastër, ku situata vijon të mbetet kritike, raportohet se janë evakuuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie.
Institucioni njofton se vatrat në Kostren (Berat), Pocest (Dibër) dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë (Gjirokastër) janë shuar dhe mbahen në monitorim. Nga zjarret raportohet se janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.
Gjatë 24 orëve të fundit, në terren janë angazhuar 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor i Forcës Ajrore. Ndërsa sot, zonat që paraqesin nivel të lartë rreziku janë qarqet: Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër.
NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive.
Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura - në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse, 631 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të operacionit po vepron avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, situata po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave operacionale nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, strukturat policore dhe vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, helikopterë dhe avioni “Air Tractor”. Katër familje janë evakuuar përkohësisht për arsye sigurie.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, vatra në malin e Dardhës është izoluar, ndërsa në Mjekës vijon puna për shuarjen përfundimtare. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Kostren, bashkia Berat, po kryhet krehja dhe monitorimi i zonës. Në Pocest, bashkia Dibër, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave operacionale, ndërsa vatrat në zonën Stegopull–Selckë dhe në Levenishtë, qarku Gjirokastër, janë shuar dhe po mbahen në monitorim.
Si pasojë e zjarreve janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier, ndërsa sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive mbetet në vlerësim.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin./ZËRI