FIER-Banorët e Patosit kanë dalë sërish në protestë kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier, në kuadër të ndryshimeve të Reformës Territoriale. Banorët shprehen se Patosi është një njësi vendore që, sipas tyre, është financiarisht e qëndrueshme, nuk ka borxhe ndaj buxhetit të shtetit dhe renditet ndër bashkitë që kanë realizuar investime të rëndësishme në raport me madhësinë e saj.
Me pankarta në duar ata deklarojnë se Patosit ka një rëndësi të madhe historike, si qytet i lidhur ngushtë me industrinë e naftës dhe historinë e punëtorëve të naftës. Rreth 200 naftëtarë kanë humbur jetën në industrinë e naftës, thanë protestuesit, të cilët kërkuan që në qendër të qytetit të vendoset edhe busti i një naftëtari.
“Ne këtu në Patos do të festojmë 100-vjetorin e grevës së parë të punëtorëve të naftës. Kjo histori duket se nuk njihet. Pse duan të shkatërrojnë qytetin e naftëtarëve të Patosit?”, deklarojnë protestuesit.
Qytetarët deklarojnë se shkrirja me Bashkinë e Fierit do të ndikonte drejtpërdrejt në mënyrën sesi planifikohen investimet, ofrohen shërbimet publike dhe përcaktohen prioritetet për territorin.
Vendi ndodhen përballë dy drafteve për Reformën Territoriale, një nga PS dhe një nga PD, ku konsensusi duket shumë larg, me mazhorancën që propozon 46 bashki nga 61 që janë aktualisht dhe me opozitën që kërkon 39 bashki të reja.